Top List

Kjo është kënga më e bukur shqiptare e dekadës

Shkruar nga Anabel

8 Dhjetor 2019

Kjo është kënga më e bukur shqiptare e dekadës

Që në momentet e para të publikimit të kësaj liste me 100 këngët më të mira të dekadës sipas Anabel, “Era” e Mc Kreshës zuri vendin e parë dhe nuk e lëshoi më. Supozohej që votimi të mbyllej më 30 nëntor, por si pasojë e tragjedisë që goditi vendin, shpallja e këngëve më të mira u shty për sot. Si një javë më parë, si sot, Kresha do të ishte njësoj fitues. Me thuajse 9 mijë vota, “Era” është goxha larg “Najher” të Ylli Limanit me “5.4 mijë vota, e cila ndodhet në vend të dytë.

Por pse është “Era” kënga e një dekade?

“Era” u publikua në mes të dhjetëvjeçarit, fundvitin e 2015-s. Është një ndër këngët e pakta të Kreshës pa Lyrical Son dhe ndër të parat që inkorporoi në melodi një tjetër këngë nga e kaluara. Faktor i pamohueshëm i suksesit të këngës është edhe tema e saj: ndarja. Një dramë e pakohë dhe gjithmonë e dhimbshme.

Struktura e këngës është goxha e thjeshtë. Nis me refrenin e “Era” nga Gjurmët – performuar nga solisti i tyre në vitin 1985, kur nxorrën edhe albumin e parë – vijon me një strofë të Kreshës, refren sërish, një tjetër strofë e Kreshës dhe  përfundon me refrenin.

Protagonsti i këngës është i ndjeshëm dhe i penduar. Ai po vuan dhe s’di ç’të bëjë me gjithë ndjenjat që i kanë mbetur nga dashuria që tashmë ka marrë fund. Është kënga që do të donim të dëgjonin ishat tanë pas ndarjes sepse tregon vetëm respekt, dashuri e mirënjohje për palën tjetër. Është romantike, por jo e tepruar. Është realiste, por jo e ftohtë. “Era” godet fiks aty ku duhet dhe e bën me hijeshi.

Reperi është liricist i zoti, siç e ka vërtetuar në çdo projekt që ka publikuar, por këtu ka një rrjedhshmëri të jetuar, sikur nuk e ndjen nevojën ta mendojë tekstin. Thjesht i buron, porsi dhimbja e ndarjes nga dikush që do; sidomos pas një gabimi nga ana jote. Prandaj kënga rezonon me kaq shumë njerëz nga të gjitha stilet e jetesës. Gabimet, ndarja dhe dhimbja, janë universale.

Je ose nuk je fans i Mc Kreshës apo i rapit për atë punë,nuk mund ta mohosh që kjo këngë është një klasike e të ardhmes. Një refren i viteve ’80, miksuar në një këngë të viteve 2010, që do t’ua tregojmë fëmijëve tanë në vitet 2040 dhe do ta shijojmë po njësoj.

Dhjetë këngët më të mira të dekadës sipas votave tuaja

1. Mc Kresha – Era

2. Ylli Limani – Najher

3. Flori Mumajesi – Plas

4. Elvana Gjata – Tavolina e mërzisë

5. Alban Skënderaj – Unë dhe ti

6. Tuna dhe Ylli Limani – A don hala

7. Fifi – Psikopatja ime

8. Flori Mumajesi – Me fjalë të vogla

9. Cricket dhe Numen – Kthema Kohën

10. Elvana Gjata – Më fal