Duke filluar nga 5 janari, në Top Channel do të nisë transmetimin “Peaky Blinders”, i cilësuar si një nga 10 serialet më të famshëm të vitit 2019.
E transmetuar për herë të parë në vitin 2013, drama e Steve Knight për një bandë gangsterësh me brisqe në kapele ka tërhequr gjithnjë e më shumë shikues. Seriali trajton historinë e një familjeje gangsterrësh, me në krye Tommy Shelby, vendosur në Birmingham-in e viteve 1919.
“Peaky Blinders”, një nga serialet më të njohur me krim, mafiozë dhe intriga politike, është një nga hitet më të padiskutueshëm për BBC dhe Netflix. Si pasojë e suksesit të serialit, 42.8 milionë njerëz vizituan Birmingham-in në 2018-n, një rritje prej 26% në dallim nga 2013-a, kur u transmetua sezoni i parë.
Kastit të aktorëve si Cillian Murphy, Helen McCrory, Paul Anderson, Sophie Rundle, Finn Cole, Tom Hardy, Natasha O’Keeffe, Kate Phillips etj., prej kohësh duan t’i bashkohen edhe emra të famshëm të Hollywood.
“Na kanë kontaktuar shumë njerëz që duan të marrin pjesë,” tha për The Guardian krijuesi Knight. “Brad Pitt, Snoop Dogg, A$AP Rocky gjithashtu. Mendoj se në sezonin e gjashtë do të hapim derën dhe do të lejojmë ca aktorë të njohur. Është me rëndësi të jenë të zotët. Do të marrim aktorin më të mirë për personazhin, siç bëmë me Sam Claflin, që luan Mosley-n. Është perfekt.”
Sezoni i pestë i “Peaky Blinders” nisi transmetimin më 25 gusht dhe përfundoi më 22 shtator, 2019. Sezoni i gjashtë mendohet se do të transmetohet në fillim të vitit 2021.