Gruaja e Kobe Bryant, Vanessa, po përpiqet që “të jetë sa më e fortë”, por vështirë se mund “të përfundojë një fjali pa qarë”, thonë miqtë pranë familjes.
Disa burime thanë për People se e veja 37-vjeçare e Bryant është “e rrethuar nga njerëz që po e mbështesin”, por “kurrë nuk mund të jesh e përgatitur për një situatë të tillë”.
“Pavarësisht ulje-ngritjet mes tyre, ata ishin edhe shokë të ngushtë. Ajo e shihte atë si partnerin e jetës,” tha një burim për marrëdhënien e Vanessa-s dhe Kobe, i cili ndërroi jetë së bashku me vajzën 13-vjeçare, Gianna, dhe shtatë të tjerë të pranishëm në helikopterin e legjendës së basketbollit.

Vanesa është “e shkatërruar. Ajo vështirë se mund të përfundojë një fjali pa qarë,” tha një burim. “Po përpiqet të jetë sa më e fortë për vajzat e tjera. Tani duhet të jetë më e fortë se kurrë.”
Vanessa ka edhe tre vajza të tjera për të cilat duhet të kujdeset: Natalia, 17 vjeçe, Bianka 3 vjeçe dhe Capri, 7-muajshe.
Ylli i LA Lakers dha një intervistë në nëntor ku u shpreh se “të qenurit baba është gjëja që e bënte më shumë krenar në botë”. “Është arritja ime më e madhe,” u shpreh Bryant.
“Kam mësuar kaq shumë, por ndoshta gjëja më e jashtëzakonshme është dashuria e pakushtëzuar që ke për fëmijët kur bëhesh prind,” tha ai.
Kobe dhe Vanessa u martuan në vitin 2001, kur ajo ishte vetëm 18 vjeç dhe ai 22.