Pasi Carolina Flack ndërroi jetë më 15 shkurt si pasojë e vetëvrasjes, një peticion onlinë u bë viral dhe deri në këto momente (e hënë, ora 14:31) ka grumbulluar më shumë se 520,000 firma.
Peticioni mban emrin “Ligji i Caroline-s” dhe synon që ta bëjë atë vepër penale për mediat britanike, të cilat “të vetëdijshme dhe të pamëshirshme bullojnë njerëzit, qofshin ose jo personazhe publikë.”
Peticioni u krijua nga një përdorues me emrin Dennis Patton në 38degrees.org.uk dhe i drejtohet Oliver Dowden, sekretar i Shtetit për Median.
Fushata onlinë kërkon që të ndërgjegjësojë njerëzit në lidhje me presionin e vazhdueshëm që mediat ushtrojnë ndaj tyre. Në të shkruhet: “Ne kurrë nuk e dinim të vërtetën dhe çfarë po ndodhte në mendjen e Caroline-s kur ajo mori vendimin për të vrarë veten.”
Në të tjera peticione online, nisur nga rasti i Caroline-s, kërkohet që në platformat e rrjeteve sociale të bëhet e paligjshme abuzimi me njerëzit e famshëm ose jo. Një tjetër peticion kërkon që rrjetet sociale t’u kërkojnë përdoruesve një konfirmim të kartës së identitetit.
Nuk është hera e parë që media britanike kritikohet për mënyrën si trajton personazhet e famshëm. Meghan Markle pranoi në një intervistë për Tom Bradby të ITV-së se shtatorin e kaluar nuk “ishte mirë” pasi u vendos në qendër të vëmendjes së medias. Së fundmi, ajo dhe princ Harry braktisën mbretërinë për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor dhe lumturinë.
Presioni ndaj njerëzve të famshëm, të cilët përjetojnë çdo “gabim” ose ngjarje në sytë e publikut, është i madh. Shpeshherë i tmerrshëm dhe abuzues. Njerëzit në internet vënë në dukje se ka ardhur koha që të ndjekin këshillën që Caroline dha në dhjetor: Përpara se të arrini në një përfundim, përpiquni të jeni të sjellshëm.