Kosova

Pyeti tezen sa kushtonte një varrim dhe i dha €12,000: Detaje nga ngjarja shokuese

Shkruar nga Anabel

19 Shkurt 2020

Pyeti tezen sa kushtonte një varrim dhe i dha €12,000: Detaje nga

Mesditën e djeshme, Gjilani u trondit nga një ngjarje shokuese, ku një familje e tërë humbi jetën. Siç mund ta keni lexuar, Valdete Bllaca, 45 vjeç, qëlloi për vdekje prindërit, 70 dhe 66 vjeç, dy vëllezërit, 43 dhe 34 vjeç, dhe më pas kreu vetëvrasje.

Gazeta Sinjali (via Panorama.com.al) mëson se pasi kreu vrasjen e katërfishtë, Valdete Bllaca, police e Policisë Rajonale të Gjilanit, qëndroi edhe 3-4 orë mes viktimave. Thuhet se pak para se të vriste veten, në shtëpi shkoi tezja e Valdetes. Mësohet se Bllaca u tha që prindërit nuk ndodheshin në shtëpi dhe se ajo personalisht kishte punë.

Fill pas kësaj, tezja dhe bashkëshorti u larguan, dhe pak çaste më pas dëgjuan të shtënat e armës.

Një tjetër detaj që është zbuluar nga mediat e Kosovës është fakti që një ditë përpara ngjarjes tragjike, Valdetja pyeti tezen se sa kushtonte një varrim. Ajo i dorëzoi asaj 12,000 euro pa i shpjeguar se ku i kishte marrë paratë dhe përse duheshin. Për momentin, nuk është bërë publik ndonjë deklaratë e të afërmve të tjerë në lidhje me vërtetësinë e këtyre detajeve.

Gazeta Express raporton se që prej vitit 2016, Valdete Bllaca kishte kryer 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese me psikologun. Trajtimin e fundit e pati më 3 tetor, kur i ishte kërkuar të mos punonte dhe të mos mbante armë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Deri në këto momente, është ende e paqartë nëse Valdetja e dorëzoi armën dhe nëse po, në çfarë forme e mori sërish.

Nga të dhënat e deritanishme, thuhet se një prej vëllezërve u vra teksa ishte duke fjetur, ndërsa i ati dhe vëllai tjetër u gjendën të pajetë në dhomën e ndenjes. Trupi i nënës u gjet në kuzhinë, ndërsa ai i Valdetes në korridor. Sipas raportimeve, ajo u qëlloi familjarëve me të paktën 2 plumba në kokë.