Më katër mars, Zvicra do të bëjë me dije emrin e artistit/es që do të përfaqësojë vendin në Eurovision. Transmetuesi Schweizer Radio und Fernsehen nuk ka dhënë asnjë detaj, por tifozët e zjarrtë të Eurovision-it vunë re (via Wiwibloggs) se në një database ku regjistrohen kompozime nga kantautorë zvicerianë, u regjistrua kënga “Repondez-moi” e interpretuar nga Gjon’s Tears. Fansat janë pothuajse të bindur se do të jetë Gjoni ai që do të ngjitet në skenën e Eurovision-it.
Gjon’s Tears është emri i artit i Gjon Muharremit. Gjoni ka lindur në Zvicër nga dy prindër me origjinë shqiptare, babai nga Kosova, ndërsa nëna nga Tirana. Pak kohë më parë, ai publikoi një këngë të quajtur “Babi”, e cila menjëherë u rendit në krye të The Top List.
Nëntë vite më parë, Gjon Muharremaj mori pjesë në Albania’s Got Talent duke emocionuar Rovena Dilon dhe Armend Rexhepagiqin teksa këndonte “Je t’aime” të Lara Fabian. Në shkurt të 2019-s, Gjoni ishte pjesëmarrës në The Voice of France.
Përsa i përket emrit, në një intervistë për Top Awards, ai u shpreh:
“Për emrin Gjon’s Tears ose lotët e Gjonit më ka lindur ideja kur gjyshi im ka ardhur nga Kanadaja në Zvicër për të më dëgjuar. Një ditë, po i bija një pianoje elektrike duke luajtur këngën 'Can’t help falling in love' të Elvis Presley-t. Teksa po performoja këtë këngë për herë të parë për gjyshin tim, pashë që ai ishte me lot dhe tepër i emocionuar. Unë isha i vogël dhe mendoja se si muzika ka këtë magji. Jam ndjerë si superhero. M’u duk shumë e fortë ajo çfarë ndodhi dhe kështu vendosa të mbaj këtë emër pasi është një episod i jetës sime që më ka prekur shumë.”
Ndërkohë që kënga “Babi” flet për një histori mes djalit dhe babait, ky i fundit përdorues i alkoolit.
“Është një këngë e shkruar gjysmë anglisht dhe gjysmë shqip. Flet për një histori mes djalit dhe babait, i cili është një përdorues i alkoolit. Djali i thotë: ‘Pavarësisht se më kë bërë gjithë këto të këqija, unë t’i fal sepse të dua’. Kjo nuk është një histori personale, pra nuk i dedikohet babait tim. Zgjodha të bëj këtë këngë sepse doja të trajtoja një histori ndryshe nga e imja pasi për mua ishte shumë interesante dhe e rëndësishme të flisja për temën e alkoolit dhe familjes.”