Celebrity

Kim Kardashian reagon pas telefonatës famëkeqe mes Taylor Swift dhe Kanye West

Shkruar nga Anabel

24 Mars 2020

Kim Kardashian reagon pas telefonatës famëkeqe mes Taylor Swift dhe

Pas përballjes me ironitë dhe fyerjet e fansave të Taylor Swift, fill pas publikimit të telefonatës së kësaj të fundit me Kanye West për këngën “Famous”, Kim Kardashian reagoi gjerë e gjatë në Twitter.

Ajo shkroi se ky nuk është momenti i përshtatshëm për të folur mbi këtë ngjarje, duke iu referuar numrit të vdekjeve nga koronavirusi, por shtoi se nuk ka zgjidhje tjetër dhe akuzoi publikisht Taylor-in se po gënjen.

“Që të jem e qartë, i vetmi problem që unë pata me këtë situatë ishte fakti që Taylor gënjeu përmes publicistit të saj kur tha se ‘Kanye nuk e telefonoi kurrë që t’i kërkonte mendim’. Ata folën, ndaj edhe unë publikova videon. Askush nuk e mohoi që fjala ‘bushtër’ u përdor pa dijeninë e saj.”

Sipas Kim-it, “Taylor manipuloi të vërtetën”.

“Në kohën kur ata po flisnin, kënga nuk ishte shkruar ende e gjitha, por siç mund ta kuptoni ajo manipuloi të vërtetën kur nuk pranoi se ishte njoftuar për këngën. Kur thashë dikur se Taylor gënjeu, e kisha fjalën për faktin që nuk pranoi që kishte biseduar me Kanye-n.”

Në një tjetër postim, Kim thotë se “nuk i editoi kurrë videot”.

“Unë nuk i modifikova kurrë videot, thjesht postova disa momente në Snapchat që të kuptohej çfarë ndodhi. Videoja e plotë nuk e ndryshon aspak situatën. Unë kurrë nuk do t’i kisha publikuar pamjet, nëse Taylor nuk do të më kishte detyruar që të mbroja Kanye-n.”

Për këdo që e ka harruar sherrin e bujshëm: Taylor Swift dhe Kanye ishin shokë derisa reperi publikoi këngën “Famous”, ku në videoklip shfaqeshin shtrirë pranë njëri-tjetrit njerëz të famshën, ndër ta edhe Taylor. Ajo reagoi duke thënë se nuk kishte qenë dakord për t’u vendosur imazhi i saj në klip, por Kim më vonë postoi një video në Snapchat ku dëgjohej Taylor që komunikonte në telefon me Kanye-n duke i thënë se ishte dakord. Kim e quajti Taylor-in gjarpër. E kështu, vazhdoi një luftë e ashpër.

Pak ditë më parë, u publikua biseda e plotë, në të cilën Kanye nuk e përmend në asnjë moment përdorimin e fjalës “bushtër”. Ndërkohë që në deklaratën e saj të fundit, Kim thotë se publikimi i videos nuk e ndryshon aspak situatën, për aq kohë sa Taylor vite më parë mohoi se ata komunikuan.