Shqipëria

Çfarë shkoi keq me e-Albania dhe a do të ketë më probleme për leje-daljet

Shkruar nga Anabel

31 Mars 2020

Çfarë shkoi keq me e-Albania dhe a do të ketë më

Që prej të hënës së kaluar, u tha se asnjë qytetar nuk mund të lëvizte lirisht pa marrë paraprakisht lejen në portalin e-Albania. Fill pas njoftimit, të shumtë qenë njerëzit që u ankuan për problemet e shfaqura në e-Albania. “Më thanë që refuzohet kërkesa sepse ID është e pasaktë”, "Nuk më vjen përgjigjja e konfirmimit”, “E vendos numrin fiks si në ID dhe ma nxjerr të pasaktë”, “Nuk hapet”, "Më thanë provo më vonë. Edhe pas dy ditësh, e njëjta gjë” ishin disa nga ankesat e mbërritura në Instagramin e @anabel_media.

Për të pasur një ide më të qartë se si duhet të ndërtohet një program qeveritar, Anabel.al kontaktoi me një programues shqiptar që punon në një kompani multinacionale amerikane, cili preferoi të mbetej anonim. Ai shpjegoi:

“Në përgjithësi, kur bëhen programe të mëdha duhet pasur parasysh disa gjëra:

1. Të konceptohet programi nga ekspertë të UX (user experience) dhe UI (user interface) që të jetë i thjeshtë dhe i kuptueshëm për njerëzit për t’u përdorur. Gjithashtu rekomandohet që të mos mblidhen shumë funksione bashkë, pra më mirë të bësh diçka që punon mirë sesa të bësh shumë gjëra që nuk punojnë dhe aq mirë.

2. Pasi funksionet e reja janë programuar, duhet testuar programi (user acceptance testing) nga një ekip që të sigurohet që gjithçka e re që është shtuar punon saktë.

3. Të bëhet Load Testing përpara se programi të vihet online – pra të përcaktohet numri i kërkesave për sekondë që mund të përballojë programi. Nga kjo mund të llogaritet edhe numri maksimal i personave online që mund të mbajë programi.

4. Të ketë Autoscaling – kjo të mundëson që të shtosh numrin e server-ave për të përballuar ngarkesën kur rritet numri i përdoruesve në ngjarje të tilla si emergjencat kombëtare.”

Përsa i përket e-Albania, Anabel.al kontaktoi me një tjetër programues shqiptar me përvojë të gjatë në median online, i cili shpjegoi:

“Nga pikëpamja e infrastrukturës, që përfshin kapacitete në server në Storage (ruajtja e të dhënave) dhe Bandwidth (transferimi i të dhënave), e-Albania i ka të gjitha pasi ka investime të mëdha për të përballuar jo 2 milionë banorë, por edhe 200 milionë. Problemi qëndron te mënyra si është programuar portali. Pra, thënë ndryshe, te resurset njerëzore. e-Albania nuk është një portal që bie ndonjëherë offline, pra problemi nuk qëndron me përballimin e fluksit, por ka probleme me Bugs në sistem për shkak të programimit të gabuar.”

Shën.red. Bugs – Në IT, me termin Bug u referohen të gjitha gabimeve dhe problemeve të një programi a sistemi kompjuterik, që i bëjnë të prodhojnë rezultate të pasakta dhe të papritura.

Shtojmë se drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, u shpreh (via Top Channel) se “e-Albania po aksesohej me vështirësi për shkak të fluksit të menjëhershëm të klikimeve” dhe shtoi se “nuk do të ketë më vështirësi në aksesim”.

“Të nderuar qytetarë, për shkak të një fluksi të madh e të menjëhershëm klikimesh, e-Albania hera-herës aksesohej me vështirësi. E pavarësisht kësaj, u dhanë plot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes sms-ve në numrin 55155. Mbi 50 punonjës, pa pushuar asnjë sekondë të vetme, ndihmuan mijëra qytetarë të tjerë për përditësimin e të dhënave në llogaritë e tyre në e-Albania dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi procedurën e thjeshtë të aplikimit. Dhjetëra inxhinierë ndërkaq punuan pa rreshtur këto dy ditë për perfeksionimin e infrastrukturës dhe tanimë me kënaqësi ju informoj se sistemi nuk do ketë më vështirësi në aksesim. Falenderoj secilin prej jush për mirëkuptimin dhe ju ftoj të hapni e-Albania për leje-daljet e nevojshme apo çdo shërbim tjetër.”