Ndërkohë që karantina vazhdon dhe ende nuk ka një përgjigje për fundin e saj, nxënësit dhe studentët janë të shqetësuar për vazhdimin e shkollës. Edhe më në dilemë gjenden maturantët, që ndonëse vijojnë mësimin nga shtëpia, duan të dinë çdo të ndodhë me këtë vit shkollor.
Gjatë një lidhjeje live në Tv Ora, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh se ky vit shkollor nuk do të digjet, mësimi për maturantët do të vijojë online dhe do të përpiqen që datat e provimeve të mos ndryshojnë.
"Nuk ekziston mundësia e djegies së këtij viti shkollor. Do marrim parasysh gjithë punën e bërë deri në kohën kur filloi pandemia dhe gjithë çfarë është bërë online. Mësuesit e kanë më të lehtë se pedagogët se i njohin më mirë nxënësit e tyre. Po bëhen vlerësime aq sa është e mundur në këto kushte. Kur të kthehemi në shkolla do bëhet vlerësimi përfundimtar. Uroj të mos kemi nevojë të lëvizim datat e provimeve dhe t'i kryejmë që ta mbyllim vitin shkollor siç duhet."
Përsa i përket provimeve të maturës në veçanti, Shahini tha se këtë vit do të zhvillohen në salla më të mëdha dhe korrigjimi do të jetë dixhital ndërsa testi do të administrohet me laps dhe letër.
"Maturantët s'duhet të shqetësohen. Do t'i heqim të gjitha temat që nuk janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Edhe mësueset janë orientuar që të mos i ngarkojnë me shumë informacion. Matura është në qershor dhe shpresoj të kemi mundësi deri tani."