Mësimi online, pavarësisht se i domosdoshëm në një situatë pandemie si kjo, padyshim që u shoqërua me vështirësitë e veta, si një formë e re mësimdhënieje që gjeti të papërgatitur mësuesit, nxënësit dhe strukturat e tjera. Pavarësisht se në 2020-n mësimdhënia online nuk duhet të ishte një praktikë e re, duhet thënë se ka shumë vështirësi.
Siç mund ta shihni në këtë sondazh të @anabel_media në Instagram, shumica e cilëson mësimin online si “tmerr”. Ata që duket se kanë më shumë vështirësi janë maturantët, pjesa dërrmuese të cilëve thonë se “nuk janë gati për provimet e maturës”.
Pjesa më e madhe e maturantëve që shkruan në @anabel_media në Instagram shfaqën të njëjtën problematikë: tema mësimore që nuk i kuptojnë mirë, vështirësi teknike (probleme me internetin dhe platformat e mësimdhënies online), ngarkesë mësimore, paqartësi në zhvillimin e orës mësimore (herë në Google Classroom, herë përmes leksioneve të gatshme).
Megjithatë situtata nuk është kaq e errët sa duket, pasi ka edhe të tjerë që mendojnë se “matura për maturantët mbyllet që në janar” dhe pjesa tjetër “është vetëm përsëritje dhe konsultim”. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, njoftoi se temat mësimore të shpjeguara pas pandemisë nuk do të përfshihen në provim.
Për Euronews Albania, Shahini tha:
"Të gjithë nxënësit do ta mbyllin vitin shkollor nëse duan. Nëse nxënësit duan ta përsërisin vitin shkollor apo duan ta bëjnë maturën vitin tjetër, do ta kenë këtë mundësi pa u penalizuar. Pra do të jetë një vendim që e marrin familjet duke parë dhe situatën sa kanë arritur të nxënë fëmijët e tyre, ku duan të studiojnë. Mund ta marrin këtë vendim që të mbesin për vitin tjetër, ta përsërisin dhe një herë vitin pa u penalizuar, pa shkruar në dëftesa apo diplomë që janë përsëritës.”
Pavarësisht se kushdo që dëshiron mund të përsërisë vitin, duket se pjesa dërrmuese nuk do të veprojë kështu.
Përpos mospërfshirjes në provime të temave të shpjeguara online, një tjetër arsye për të mos përsëritur vitin është padyshim edhe kostoja finaciare, duke përfshirë këtu edhe kurset për lëndë të ndryshme. Maturantët shprehen se nuk e kanë “luksin” të fillojnë shkollën nga fillimi, pa marrë parasysh energjinë dhe kohën e shpenzuar për një vit shkollor.
Përsa i përket rekomandimeve, disa prej tyre theksojnë se zgjidhje të mira për situatën në fjalë do të ishin:
- të vlerësohen nxënësit në bazë të mesatares së gjimnazit;
- të kryhen provime vetëm në fakultetet ku nxënësit duan të studiojnë;
- të zhvilloheshin orët mësimore të këtij viti në vitin tjetër shkollor (shtator) sipas një programi të mirëmenduar;
- të kryehen orë mësimore shtesë për konsultime pas përfundimit të gjendjes së pandemisë.