Feminism

Si të ndani shpenzimet dhe faturat me partnerin

Shkruar nga Anabel

21 Prill 2020

Si të ndani shpenzimet dhe faturat me partnerin

Episodin e djeshëm të “Hostel by Anabel: Si n’jetë” ndodhi gjëma. Alberta, Ernesti dhe Megi, pinë kafe dhe ndanë faturën. Se si nuk u shemb bota në atë moment, nuk e dimë.

Komentuesit në YouTube u ndanë në dy grupe. Një palë shprehu mbështetje sepse “çunat nuk janë bankomate” dhe grupi tjetër u vu në siklet sepse “s’mund t’ia lejojë vetes një çun diçka të tillë.”

Por siç mund ta dini, ndarja e faturave dhe shpenzimeve në çift është mëse normale. Madje këshillohet për një marrëdhënie të shëndetshme dhe jetëgjatë. Nëse të dy punojnë dhe sjellin të ardhura, nuk ka asnjë arsye pse burri duhet të mbajë shtëpinë përveç arsyetimeve të vjetëruara që nuk pijnë ujë me gra feministe.

Nëse edhe ju besoni se përgjegjësitë në çift duhet të jenë të barabarta, ja si duhet të flisni për financat dhe për ndarjen e shpenzimeve e faturave.

1. Tregohuni të hapur me njëri-tjetrin

E dimë që të flasësh për paratë është e sikletshme. Por besojmë se është e nevojshme më shumë nga ç’është e sikletshme. Uluni dhe ndani me njëri-tjetrin çfarë mendoni dhe si duhet vepruar sipas jush. Nëse bini dakord, mirë. Nëse jo, gjeni një pikë takimi. Gjithashtu, ju vlen të tregoheni të hapur mbi sa paguheni. Në këtë mënyrë, e dini situatën dhe nuk prisni buqeta me trëndafila çdo të hënë apo partneri juaj nuk pret dhurata të shtrenjta.

2. Qartësoni cilat fatura ndahen dhe si

Kjo pikë varet nga rrethana në të cilën jeni. Jetoni bashkë, jetoni përkohësisht bashkë, jetoni veçmas, por takoheni shpesh, të gjitha këto ndikojnë në mënyrën si ndahen faturat. Duhet të diskutoni patjetër për asetet dhe borxhet. Nëse s’jeni të martuar, nuk mund të prisni nga njëri-tjetri që borxhet dhe asetet të jenë të përbashkëta. Faturat që ndahen mes jush janë qiraja, energjia elektrike, interneti, Netflix apo shërbime të tjera.

3. Drejtësia mbi të gjitha

Mënyra më e thjeshtë është përgjysmë, por kjo s’është gjithmonë e drejtë. Gjasat janë që një partner fiton më shumë se tjetri. Ndarja e shpenzimeve duhet të jetë proporcionale me të ardhurat neto të secilit.

4. Të dalat dhe pushimet

Për sa i përket të dalave mund të paguani me rradhë që të mos ndani faturën çdo herë. Një herë paguani ju, një herë pala tjetër. Gjithashtu, nëse nuk mbani shumë para të thata, mund të vendosni një rregull. E zëmë, nëse fatura në restorant shkon më shumë se 7000 lekë, e paguani të dy.

5. Tregohuni pozitivë

Është shumë e thjeshtë të zihesh për punë lekësh, por s’keni pse. Janë një aspekt i panegociueshëm i jetës dhe bëni mirë të mësoni t’i menaxhoni sa më herët. Kur të bisedoni për financat, mbani qëndrim pozitiv dhe përpiquni të kuptoni palën tjetër. Fundja, asnjëri s’është ekspert.