Shqipëria

Shtyhet gjendja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor: Ç’do të thotë kjo?

Shkruar nga Anabel

21 Prill 2020

Shtyhet gjendja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor:

Komisioni i Ligjeve miratoi shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor. Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore u njoftua më 24 mars dhe ditën e sotme, u shty jo me 1, por me dy muaj. Këtë vendim, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, e argumentoi kështu:

"Nga lirimi i masave, specialistët presin që të ketë raste të shtuara duke qenë se një pjesë e të prekurve janë asimptomatik, prandaj këto masa do të jenë graduale. Duhet që të presim minimumi dy javë që të vlerësojmë nëse do ketë rritje ose jo, dhe nëse do ketë, që gjasat janë po, dhe që të kthehemi sërish aty. Kjo do të na ndihmojë për të vazhduar që të kontrollojmë situatën. Është e domosdoshme që të vazhdojmë ta kontrollojmë."

Çfarë konsiderohet fatkeqësi natyrore?

Sipas Ligjit për Mbrotjen Civile, fatkeqësi natyrore janë fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe në det, zjarret masive në pyje, sëmundjet infektive masive dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.

Si shpallet kjo gjendje?

Gjendja e fatkeqësisë natyrore është gjendja e vendosur nga Këshilli i Ministrave në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose të fatkeqësive të tjera.

Cilat të drejta të parashikuara në Kushtetutë kufizon gjendja e fatkeqësisë natyrore për Covid-19?

vendimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për Covid-19 thuhet se si masë e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, kufizohen të drejtat e garantuara nga nenet* 37, 38, 41 pika 4, 49 dhe 51 deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit.

Shënim*: Nenet i gjeni të shpjeguara në vijim.

A do të thotë kjo se do të qëndrojmë mbyllur deri më 23 qershor?

Jo detyrimisht. Për momentin, nuk ka ende një vendim të qartë se çfarë do të ndodhë me shkollat dhe universitetet, megjithatë nga ana tjetër shumë biznese kanë rifilluar aktivitetin. Shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk përkthehet në izolim total, por do të thotë se deri në 23 qershor do të vijojmë me masa kufizuese totale ose të pjesshme.

Për cilat nene/ të drejta bëhet fjalë?

Neni 37

1. Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
3. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.

Neni 38

1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.

Neni 41, pika 4

Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Neni 49

1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
2.Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.

Neni 51

1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Si pasojë e këtyre masave, vendi ynë është tërhequr përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke e arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që ka sjellë kufizime në liri dhe të drejta themelore të njeriut në lidhje me lëvizjen, të drejtën e pronës, procesin arsimor etj.