Në një seri videosh në Instagram, Ermal Mamaqi foli për rëndësinë e të gjeturit të qëllimeve në jetë, ku ndër të tjera u ndal edhe te leximi i romaneve.
“Mos lexoni budalliqe. Ka ca që lexojnë romane. Ok nuk kam ndonjë gjë konkrete kundër, po kush lexon më romane tani aman, vetëm pensionistët. Duhet të lexosh libra që kanë vlerë, libra që lidhen me profesionin tënd ose libra që lidhen me situatë që po kalon.” – u shpreh ai.
Sipas tij, disa njerëz e keqkuptuan deklaratën për romanet, ndaj në një tjetër video shpjegoi:
“Për punën e romaneve që thashë se lexojnë vetëm pensionistët. E thashë edhe te video e parë që nuk kam ndonjë kundër romaneve, sepse kam lexuar shumë romane në jetë, por në këtë kohë që po kalojmë, romanet i lexojnë pensionistët dhe njerëzit e pasur sepse kanë gjërat në terezi. Nuk është momenti që të lexoni romane tani, romanet kanë vlera të jashtezakonshme, por nuk është momenti që të lexojmë romane apo të shohim opera e balet klasik tani. Është momenti që të mësosh si përdoret vetja jote për të shpëtuar[...]”
Në koment, botuesja Arlinda Dudaj nuk bie aspak dakord me këndvështrimin e Mamaqit. “E njeriu dhe kur të shkojë në punë, rrugës për aty, tek do shkojë për bukën e gojës mund të lexojë romane, se ato romane e libra të zhvillojnë si njeri, të bëjnë njeri. Se në fund të fundit për këtë po flasim në kohë si këto të gjejmë njeriun te vetja,” shkruan ajo ndër të tjera.
“Ermal u futa dhe të pashë videon pasi realisht nuk mund ta besoja se mund ta kishe thënë me të vertetë atë që veshët e mi dëgjojnë nga goja jote. Përtej gjithçkaje që mund të kesh pësuar nga lodhja në karantinë, pasiguria në të ardhmen, atë e kemi të gjithë nga i pari tek i fundit deri në cepin më të fundit të botës. Ashtu siç e paraqet ti, duket se njeriu duhet të bëjë një gjë, atë që ti beson, duke përjashtuar gjithçka tjetër. Le të mos flasim për diskriminimin moshor edhe gjinor që i ke bërë dhe herë të tjera, po s’ka gjë të kemi falur se e kemi quajtur humor, edhe pse i tillë nuk është. Bukuria do e shpëtojë botën, e ka shpëtuar përherë, këtë nuk e vendos depresioni im apo yti në kohë të caktuara. E njeriu dhe kur të shkojë në punë, rrugës për aty, tek do shkojë për bukën e gojës mund të lexojë romane, se ato romane e libra të zhvillojnë si njeri, të bëjnë njeri. Se në fund të fundit për këtë po flasim në kohë si këto të gjejmë njeriun te vetja. Më vjen keq po do mbahesh mend si opinionbërësi i vetëm në historinë e botës që predikon mosleximin”.