Në një komunikim në Facebook, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u shpreh se “vendimi për modalitetet e përfundimit të vitit shkollor, si edhe informacione të tjera të rëndësishme për nxënësit dhe studentët, do të publikohen para fundit të muajit”. Gjatë deklaratës, ministrja u ndal në katër çështje të rëndësishme:
Te vendimi final për mbylljen e vitit shkollor:
“Nuk kemi ende një vendim final për mbylljen e vitit shkollor. [Këtë vendim] do ta kemi në fund të prillit, pra është punë ditësh. Thjesht po shohim situatën me koronavirusin dhe po presim një vendim të Task-Forcës nëse mund të kthehemi në shkollë apo jo. Sidoqoftë ne i kemi të gjithë skenarët gati për të dyja rastet.”
Te maturantët dhe programet e reja orientuese të provimeve:
“Gjithashtu në fund të prillit, kur të merret vendimi për vitin shkollor, do të botohen edhe planet e reja orientuese për maturën, që nuk përmbajnë temat që nuk janë zhvilluar në kushte [normale] shkolle.”
Te maturantët që duan të aplikojnë për studime jashtë vendit:
“Plani ynë është që ta mbyllim vitin shkollor në qershor, ashtu siç ishte planifikuar normalisht dhe të mos kemi pengesa për nxënësit që duan të aplikojnë jashtë vendit.”
Te studentët dhe viti akademik:
“Studentët kanë një fleksibilitet të shtuar, sepse provimet i kanë në korrik zakonisht. Sidoqoftë ne po punojmë ngushtë me dekanët, rektorët dhe shefat e departamenteve për të parë se si kanë vepruar universitetet e ndryshme për mbylljen e vitit akademik. Ne po koordinojmë punën me ta, po i orientojmë, por në fund të ditës vendimi i përket universitetit.”
Në vijim të komunikimit, Shahini shtoi:
“Brenda pak ditësh do të marrim vendimin përfundimtar për mbylljen e vitit shkollor. I kemi gati skenarët dhe udhëzuesit për vlerësimin e nxënësve si në kushte shtëpie ashtu edhe në rast se kthehemi në shkollë.”