Shqipëria

Pas pandemisë, Tirana do të sanksionojë fundjavat pa makina

Shkruar nga Anabel

23 Prill 2020

Pas pandemisë, Tirana do të sanksionojë fundjavat pa makina

Pas përfundimit të pandemisë, fundjava pa makina do të sanksionohet, të paktën për kryeqytetin. Një vendim të tillë kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, e bëri të ditur në një komunikim me emisionin “Repolitix” në Report Tv.

“Qyteti ka qenë më i pastër, më i kthjellët dhe kemi kuptuar që ndotësi më i madh në qytet janë makinat. Siç kemi llogaritur para pandemisë, në Tiranë bëhen 800,000 segmente me makina në ditë, prej të cilave 400,000 janë në distanca më pak se 1 kilometër. Ajo që kuptuam nga pandemia është se vajtjen te dyqani i bukës, farmacia, parukeria, supermarketi apo qendra shëndetësore mund ta bëni fare mirë me këmbë ose biçikletë.

Shën.red. Sanksionim – miratimi përfundimtar i një vendimi, plani a detyre, të cilit/ës i jepet fuqi ligjore.

Në momentin që do të çlirojmë të gjitha aktivitetet dhe do t’i kthehemi jetës normale, do të sanksionojmë fundjavën pa makina, jo nga halli, por nga pasioni për t’u dhënë ajër më të mirë fëmijëve tanë.”

Veliaj nuk u ndal në detaje konkrete për mënyrën se si do të procedohet me lëvizjen pa makinë në fundjavë në rast se ecja në këmbë, autobus apo biçikletë është e pamundur.