Për njëri-tjetrin

Thirrje për ndihmë nga 8 fëmijë jetimë: 'Unë nuk e realizova dot ëndrrën time'

Shkruar nga Anabel

6 Maj 2020

Thirrje për ndihmë nga 8 fëmijë jetimë: 'Unë

Katër vite më parë, një fatkeqësi në familjen Bardhi nga fshati Sinë, Dibër, e vështirësoi më tepër gjendjen e tyre ekonomike. Pas një operacioni të apendicitit, kryefamiljari ndërroi jetë për shkak të infektimit të plagës dhe pamundësisë për ta kuruar.

“Po ta shohësh prindin në një gjendje shumë kritike është diçka shumë e rëndë. Akomë më keq ishte pamundësia jonë për të shkuar dhe në spitale. Prej këtu ku jemi ne, spitali është më shumë se 40 minuta me makinë larg. 2 muaj pasi u operua nga apendesiti kaloi në infeksion dhe iu hap plaga. Ai kishte nevojë për shumë mjekim dhe shumicën e rasteve ia bëja unë vetë mjekimet, sepse mami ka qenë duke u kujdesur për vëllezërit e vegjël. Po të ishte babi, çdo gjë do të ishte ndryshe. Ai nuk mundi të shpëtoj as veten dhe as ne. Ne kemi mbetur këtu, thuajse të gjitha femra mes malit, pa asnjë të ardhur.” – rrëfen një prej vajzave.

Thirrje për ndihmë nga 8 fëmijë jetimë: 'Unë

Nëna e 8 fëmijëve, Fluturimja, thotë se “pamundësia ekonomike ua ka ndërprerë shpresën për t’u shkolluar”.

“Kur mbaruam shkollën, shoqet flisnin për degët që kishin fituar, kurse unë nuk flisja. Sepse e dija që unë nuk kisha mundësi dhe duhet të rrija në shtëpi. Dhashë edhe provimet e maturës dhe dola goxha mirë, po ashtu edhe mesataren e kisha mirë. Tani më mbetet vetëm të luftoj për motrat e tjera dhe vëllezërit, të paktën ata të kenë një shkollë. Unë nuk e realizova dot ëndrrën time, por të paktën të përpiqem që ajo e tyre të plotësohet,” thotë Adriana, 18 vjeç.

Nëse keni mundësi të ndihmoni sadopak, kontaktoni me “Fundjavë Ndryshe”.