Një rrëfim për dy brigje, sa të njohura aq edhe të panjohura për njëra-tjetrën, për njerëz të ndryshëm, por në thelb të ngjashëm. Kështu mund ta përshkruajmë me një fjali librin e autorit shqiptaro-italian Elvis Malaj. “Nga veranda jote duket shtëpia ime” (Dal tuo terrazzo si vede casa mia) është vëllimi i parë me tregime i Malajt, ku në 12 tregimet dy botë ballafaqohen me njëra-tjetrën përmes gjuhës, botëkuptimit, emocioneve, traditës dhe risisë, të njohurës dhe të panjohurës.
Malaj rrëfen pa dorashka dhe pa klishe jetën e vërtetë të të rinjve shqiptarë në Itali dhe në Shqipëri; rrëfen për bullizmin, seksin, familjen, stereotipet, gëzimet, dhimbjet, jetën e zakonshme, mospërshtatjen dhe trazimin e emigrantit, por me një këndvështrim të ri dhe të freskët.
“Në tregimet e Malajt – sepse bëhet fjalë për tregime dhe ky më duket një tjetër arsye interesi – matet gjithë distanca mes ëndrrës dhe realitetit, dhe demonstrohet se ç’do të thotë “i huaj” qoftë në Itali, qoftë në Shqipëri,” thotë Luca Formenton, akademik, president i shtëpisë botuese “Il Saggiatore”.
“Largësia që përshkon jetën e personazheve të Malajt është e brendshme dhe shfaqet përmes cinizmit që, në të vërtetë, fsheh diçka të kundërt, pra vetminë e tij melankolike, të projektuar në kërkim të vendit që i takon në këtë botë,” shkruhet në Il Manifesto.
Elvis Malaj ka lindur në Malësinë e Madhe në 1990, por që në moshën 1-vjeçare është larguar drejt Italisë. Në tregimet e tij ka gjurmë të identitetit shqiptar, por nuk bëhen mbizotëruese.
Me përkthim të Beti Njumës, “Nga veranda jote duket shtëpia ime” vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”.