Shqipëria

Besiana Kadare emërohet zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Shkruar nga Anabel

1 Korrik 2020

Besiana Kadare emërohet zëvendëspresidente e Asamblesë

Besiana Kadare, vajza e shkrimtarëve Ismail dhe Helena Kadare, është emëruar si zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Është një nder i veçantë për mua,” shkruan ajo në Twitter.

Në një postim në Facebook, presidenti Ilir Meta shkruan:

“Caktimi i Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror.
Shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë.”

Në profilin e saj në Twitter, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, uron Besianën për postin e rëndësishëm.

“Urime Besiana Kadare si e përzgjedhura e Shqipërisë në këtë post të rëndësishëm.”

Besiana Kadare ka shërbyer si Sekretare e Parë e Shqipërisë në “Permanent Mission” në Kombet e Bashkuara në Nju Jork në vitet 2002-2005. Më pas, u kthye në Shqipëri dhe punoi në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa në vitin 2008 shërbeu në Ambasadën e Shqipërisë në Francë. Midis viteve 2011-2016, ishte ambasadorja e Shqipërisë dhe delegatja e përhershme në UNESCO në Paris. Që prej 2016-s, është ambasadore dhe përfaqësuese e përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.