Shqipëria

Vrasësi i Ilaria Sulës u dërgon letër prindërve të saj

Shkruar nga Anabel

11 Prill 2025

Vrasësi i Ilaria Sulës u dërgon letër prindërve të

Mark Samson, autori i vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, i ka dërguar një letër nga burgu familjes së saj, ku kërkon falje për krimin e tmerrshëm. 23-vjeçari filipinas, i cili ndodhet i arrestuar në burgun Regina Coeli në Romë, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet.

Në letër, e cila u shfaq ekskluzivisht në Tg1 në Rai 1, lexohet:

“Unë jam Mark Samson dhe po shkruaj nga qelia ku do të qëndroj për disa vjet. Çdo ditë mendoj për krimin mizor që kam kryer dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di se çfarë më ka ndodhur. Është banale të kërkoj falje për dhimbjen që kam shkaktuar, por dua t’i kërkoj falje Ilarias, nuk e kam respektuar kur ajo donte të më linte. Humba kontrollin dhe u çmenda nga dhimbja. Jam i vetëdijshëm që asgjë që mund të them apo bëj sot nuk do të lehtësojë dhimbjen e familjes. Nuk po përpiqem të zvogëloj përgjegjësitë e mia ose të shpëtoj nga pasojat e veprimeve të mia. Jam i gatshëm të paguaj për mëkatet e mia pa asnjë justifikim.»

Letra nuk e fshin krimin makabër sipas familjes së Ilaria Sulës, e cila përmes avokatit të saj, Giuseppe Sforza, iu përgjigj 23-vjeçarit.

“Teksti i kësaj letre duket më shumë si një pasqyrim i vetes së tij, pa asnjë vëmendje reale ndaj peshës së veprës së kryer. Secili ka të drejtën të shkruajë, por gjithashtu prindërit e Ilarias, gjithë familja e saj, vëllai dhe të tjerët, kanë të drejtën të mos i pranojnë këto ndjesa”.

Ilaria Sula, trupi i së cilës u gjet në një valixhe, u vra nga i dashuri i saj, Mark Samson. Autori dyshohet të ketë përdorur një thikë për të vrarë të renë, të cilën më pas e futi në valixhe dhe e hodhi në një zonë të pyllëzuar.