Shqipëria

Flet psikiatri që trajtonte Blerta Josifin: ‘S’ka lidhje me fenë’

Shkruar nga Anabel

10 Korrik 2020

Flet psikiatri që trajtonte Blerta Josifin: ‘S’ka lidhje me

Një recetë mjekësore me emrin e mjekut e gjetur në shtëpinë e familjes Josifi bëri që të hidhej më shumë dritë mbi ngjarjen në fjalë. I kontaktuar nga gazetarët e Top Channel, mjeku psikiatër Sadik Lala, i cili ka trajtuar Blerta Josifin, e vetmja e mbijetuar e familjes, foli për të tjera detaje të shëndetit mendor.

“Ka vuajtur nga çrregullimi depresiv që ka kaluar në çrregullim depresiv psikotik. Ka qenë hermetike për shumë gjëra që i kanë ndodhur në të shkuarën,” tregoi Lala.

Ai shtoi se Blerta Josifi është paraqitur për herë të parë në klinikë më 11 mars të vitit 2015. “Ka kryer gjithsesj 4 vizita. Në mos gaboj, herën e parë ka qenë me të motrën. Në shtator-tetor është përmirësuar dukshëm. Nuk kam pasur më kontakte. [Kur u largua nga unë] ishte krejt e qetë, ushqehej mirë dhe nuk përdorte më qetësues që ishte problemi më i madh i saj. E mbaj mend që ishte shumë nënpeshë nga mosushqyerja.”

Sipas informacionit të mjekut, Blerta kishte përdorur qetësues për një periudhë të paktën 2-vjeçare përpara se të vizitohej te psikiatri. Referuar të dhënave, mjeku theksoi se diagnoza e përcaktuar ka qenë çrregullimi depresiv me tipare psikotike.

Ndonëse pas takimit të fundit me psikiatrin në shtator-tetor, gjendja e saj ishte e qetë, Lala shtoi se “nuk di nëse ka kryer vizita të tjera, nëse ka vazhduar mjekimin sipas rekomandimit”.

Përsa i përket trajtimit të fesë, mjeku psikiatër tha:

“Nëpër emisione i mëshohet më tepër Dëshmitarëve të Jehovait, sekteve fetare. [Ka] një zallamahi, kakofoni opionistësh ose gjithologësh. Por unë jam profesionist dhe do flas si i tillë. E vërteta është një rast që meriton vëmendje klinike. Për mua është kryesore depresioni. Mendoj që debati për Dëshmitarët e Jehovait apo sekteve fetare është i pavlerë.”

Përsa i përket tragjedisë familjare, një tjetër specialist i fushës u shpreh se mund të kemi të bëjmë me çrregullimin "Folie en famille", për të cilin lexoni më shumë këtu.