
Një çift italian u dashurua duke u parë nga ballkonet e tyre në Verona, gjatë karantinës në Itali dhe tashmë janë të fejuar dhe së shpejti do të martohen.
Gjerësisht të cilësuar si “Romeo dhe Zhuljeta e kohëve moderne", Paola Agnelli, 40 vjeç me profesion avokate, dhe Michele D’Alpaos, 38 vjeç me profesion IT, e panë njëri-tjetrin për herë të parë në mars. Në këtë periudhë, e gjithë Italia ishte në bllokim total dhe askush nuk ishte në gjendje të largohej nga shtëpia me përjashtim të arsyeve të rëndësishme.
Në Verona, pikërisht në qytetin ku bazohen ngjarjet e tragjedisë së njohur të Shekspirit, Paola dhe Michele dolën në ballkonet e tyre për të dëgjuar muzikën që luanin fqinjët. Ata dilnin në orën 6 pasdite, çdo ditë. Tërheqja ishte e menjëhershme dhe e ndërsjelltë, pavarësisht distancës prej 40 metrash midis ballkoneve të tyre.
“Michele menjëherë më pyeti nëse mund të më ndiqte në Instagram dhe që prej asaj dite, nisëm të flisnim nga mëngjesi në mbrëmje,” tha Paola për Insider.
Pas dy javësh, bisedat e tyre u transferuan në WhatsApp. Ata nuk u takuan nga afër deri më 4 maj, ditë kur kufizimet në Itali u lehtësuan.
“Ishte emocionuese. Të dy ishim të ngazëllyer,” tha Paola. “Ne shkuam te kopshtet afër shtëpisë dhe u përqafuam dhe puthëm për herë të parë. Gjithmonë do ta kujtojmë atë moment magjik. Ishte fillimi i një jete të përditshme së bashku.”
Ajo e përshkruan Michele-n me gjyshin e ndjerë, i cili gjithashtu quhej Michele. “Unë mendoj se ai më dha dhuratë Michele-n nga qielli.”
Ata janë të fejuar dhe kanë në plan të martohen.
Burimi: Insider