"Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme në lidhje me dokumentarin e ri", “I Am Greta” (Unë jam Greta), shkruan BBC.
Dokumentari është sjellë nga regjisori Nathan Grossman, i cili si një ish-student në vitin 2018, u bë kurioz për një 15-vjeçare suedeze si Greta Thunberg, që kishte vendosur të largohej nga shkolla, për t'u ulur vetëm jashtë parlamentit të vendit në Stokholm si pjesë e asaj, që ajo e quante një "grevë klimatike".
Ai filloi të filmonte disa ditë më vonë. Në fillim, ai shkrepi në një mënyrë me cilësi të ulët në kamerën e tij, për të kursyer hapësirë në kartat e memories, duke menduar se do të ishte me fat nëse historia e tij do të merrte një pjesë të shkurtër për lajmet lokale.
Në fakt, brenda disa javësh, fëmijët në gjithë botën kishin filluar grevat e tyre klimatike. Arnold Schwarzenegger po shpërndante postimet e Thunberg dhe tashmë, Nathan, kishte ndryshuar filmimet në kualitet HD.
Ai vazhdoi të filmonte Thunberg dhe babanë e saj në çdo kthesë të aventurës që u zhvillua gjatë vitit të ardhshëm. Dhe çfarë aventure!
Vetë Thunberg tha se mund të ishte një film, por do të ishte një film shumë surreal “sepse historia do të ishte e vështirë”.
“I Am Greta” është një bashkim mes filmave të tranzicionit: nga fëmijë në adoleshent dhe filmave me super-heronj.
Kjo është historia se si një fëmijë i trazuar dhe i vetmuar zbulon fuqitë e saj të fshehura dhe i përdor ato për të ndryshuar rrjedhën e botës.
Sekreti i karizmës së Thunberg
Është pak e pazakontë. Rezulton se kjo vajzë e vogël, e qetë me bishtaleca ka dhe një karizëm të lindur.
I gjithë subjekti i filmit është mbi idenë: “Nëse pretendoni të jeni diçka që nuk jeni, nuk do të zbuloheni.”
Duke parë filmin, kupton se Thunberg është kaq magjepsëse, sepse ajo është plotësisht autentike. Ajo nuk po e bën këtë që të duket, nuk po e bën sepse dëshiron famë ose vëmendje, por e bën sepse nuk ka zgjidhje.
Ajo ndihet e detyruar të bëjë diçka - gjithçka – që bota ta marrë seriozisht ndryshimin e klimës.
Pse ajo s’mund ta lërë gjithçka pas
Në fillim të dokumentarit, ajo përpiqet të shpjegojë pse.
“Në momentin që kriza e klimës tërheq vëmendjen tuaj, ju s’mund t’i ktheni shpinën”, thotë ajo.
"Sapo të kuptoni madhësinë e problemit nuk mund ta fshini atë."
Tensioni, midis dëshirës së saj për ndryshim dhe mungesës së urgjencës nga politikanët, është ajo që e bën historinë kaq elektrike.
Detyrimi për të bërë fushatë
Thunberg na tregon për ngjarjet që ka marrë përsipër në “fragmente ditari”.
Mësojmë se ajo nuk ka dyshim se Sindroma Asperger është një nga arsyet që i jep asaj më shumë fokus.
“Unë e kam atë. Nuk do të thoja se vuaj nga ajo”, korrigjon një reporter gjatë një interviste.
Dokumentari tregon gjithashtu, se si fushata ka ndihmuar në largimin e Thunberg nga depresioni i thellë.
"Ndihet pothuajse e papërshkrueshme që diçka po ndodh më në fund," shkruan ajo në ditarin e saj. "Ka kaq shumë njerëz që interesohen për të njëjtat gjëra si unë."
Në dokumentar, Greta flet për sa e vetmuar ishte në shkollë dhe çrregullimet e të ngrënit me të cilat lufton. "I Am Greta" do të publikohet më 13 nëntor, në Hulu.
Burimi: BBC