Cyberstalking (përndjekja kibernetike), mesazhet kërcënuese dhe imazhe të padëshiruara janë vetëm disa nga abuzimet me të cilat përballen rregullisht gratë e reja në internet, sipas një raporti të ri.
Kërkimet nga Plan International zbuluan se më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të reja kanë përjetuar abuzim në internet në një farë forme, duke bërë thirrje për më shumë rregullime në mediat sociale.
14,000 gra dhe vajza në 22 vende u pyetën për të ndarë përvojat e tyre me organizatën humanitare Plan International dhe zbuluan histori të ngjashme në lidhje me ngacmimet në internet.
Studimi i hollësishëm, i cili u foli grave dhe vajzave të reja të moshës 15-25, zbuloi se rreth 20% e të anketuarave kishin lënë rrjetet sociale dhe 12% e tyre, kishin reduktuar përdorimin e tij, për shkak të ngacmimeve online.
Një 20-vjeçare nga Sudani foli për mënyrën se si ajo merrte mesazhe kërcënuese:
"Më kujtohet një incident specifik kur isha më e re. Merrja mesazhe nga djemtë që më kërkonin të dërgoja foto nudo ose përndryshe, do të editonin fotot e mia ekzistuese që të dukeshin si nudo.”
Mjerisht, ky nuk është një incident i izoluar. 47% e vajzave ishin kërcënuar me dhunë fizike dhe seksuale.
"Në vend se të jenë të lira dhe të fuqizuara të shprehen në internet, vajzat shumë shpesh ngacmohen, keqtrajtohen dhe dëbohen nga hapësirat në internet," shkruan CEO i Plan International, Albrectsen.
Ndikimi i përhershëm i abuzimit online mund të jetë 'psikologjikisht i dëmshëm'. Megjithëse ngacmimet janë veçanërisht të përhapura në internet, nuk është një rast i thjeshtë i fikjes së telefonit tuaj. Mediat sociale mund të jenë tepër të rëndësishme për të qëndruar të lidhur me miqtë dhe familjen apo për t’u informuar me çështjet aktuale dhe mundësitë e punës.
Sipas Plan International, 98% e grave të anketuara janë në mediat sociale dhe 74% postojnë shpesh.
Plan International po u bën thirrje kompanive të mediave sociale që "ta marrin seriozisht këtë çështje", duke nisur një peticion në Internet.
“Vajzat nuk duhet të durojnë sjellje në internet, që në jetën reale do të ishin kriminale!”
P.I thotë se qeveritë dhe kompanitë e mediave sociale duhet të marrin masa.
Burimi: Bustle