Një grup piraterie po dhuron para të vjedhura për bamirësi.
Hakerët e Darkside pretendojnë se kanë zhvatur miliona dollarë nga kompanitë, por thonë se tani duan të "bëjnë botën një vend më të mirë".
Në një postim në Dark Web*, banda postoi fatura për 10,000 dollarë në donacione Bitcoin për dy organizata bamirësie.
*Dark Web - Pjesë e Web-it, që është e arritshme vetëm me anë të një programi special, duke lejuar përdoruesit dhe operatorët e faqeve të internetit të mbeten anonimë ose të pagjurmueshëm.
Njëra prej organizatave, Children International, thotë se nuk do t'i mbajë paratë.

Lëvizja po shihet si një zhvilim i çuditshëm dhe shqetësues, si moralisht dhe ligjërisht.
Në postimin e datës 13 tetor, në blog, hakerat pretendojnë se ata synojnë vetëm kompanitë e mëdha fitimprurëse me sulmet e tyre ransomware, që do të thotë se sulmet mbajnë peng sistemet e IT të organizatave derisa të paguhet një shpërblim.
Ata shkruan:
“Ne mendojmë se është e drejtë që disa nga paratë që kompanitë kanë paguar do të shkojnë për bamirësi. Pavarësisht sa keq mendoni se është puna jonë, ne jemi të kënaqur të dimë që ndihmuam për të ndryshuar jetën e dikujt. Sot ne dërguam donacionet e para.”
Kriminelët kibernetikë postuan donacionin së bashku me faturat e taksave që morën në këmbim të 0.88 Bitcoin*, që u kishin dërguar dy organizatave bamirëse, The Water Project dhe Children International.
*Bitcoin - kripto-monedhë, monedha elektronike

Children International mbështet fëmijët, familjet dhe komunitetet në Indi, Filipine, Kolumbi, Ekuador, Zambia, Republika Dominikane, Guatemalë, Honduras, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Children International tha për BBC:
“Nëse donacioni është i lidhur me një haker, ne nuk kemi ndërmend ta mbajmë atë".

Water Project, e cila punon për të përmirësuar aksesin në ujë të pastër, në Afrikën nën-Sahariane, nuk u është përgjigjur kërkesave për komente.
Brett Callow, Analist i Kërcënimeve në kompaninë e sigurisë kibernetike Emsisoft, tha:
"Ajo që kriminelët shpresojnë të arrijnë duke bërë këto donacione nuk është aspak e qartë. Ndoshta ndihmon në zbutjen e fajit të tyre? Apo ndoshta presin që të përceptohen nga njerëzit si Robin Hood, më shumë sesa zhvatës pa ndërgjegje?
Cilido qoftë motivi i tyre, sigurisht që është një hap shumë i pazakontë dhe është, me sa di unë, hera e parë që një grup ransomware ka dhuruar një pjesë të fitimeve të tyre për bamirësi."
Grupi i hakerëve Darkside është relativisht i ri në skenë, por analiza e tregut të kripto-monedhës konfirmon se ata në mënyrë aktive po zhvatin fonde nga viktimat.
Ka gjithashtu prova që ata mund të kenë lidhje me grupe të tjera kriminale kibernetike përgjegjëse për sulmet e profilit të lartë ndaj disa kompanive.
Mënyra se si hakerat paguan bamirësitë është gjithashtu një arsye e mundshme shqetësuese për zbatimin e ligjit.
Kriminelët kibernetikë përdorën një shërbim me bazë në SHBA të quajtur The Giving Block, i cili përdoret nga 67 jofitimprurës të ndryshëm nga e gjithë bota, përfshirë Save The Children, Fondacioni Rainforest dhe She's The First.
The Giving Block e përshkruan veten në internet si "zgjidhja e vetme jofitimprurëse specifike për pranimin e dhurimeve të kripto-monedhës".

Ata u shprehën se nuk ishin në dijeni se këto donacione ishin kryer nga kriminelët kibernetikë.
Sidoqoftë, avokatët e organizatës thonë se “fakti që ata përdorën kripto do ta bëjë më të lehtë, jo më të vështirë, për t'i kapur”.
Burimi: BBC