Një valë e dytë e koronavirusit është duke përfshirë Europën, me rekorde të reja infeksionesh çdo ditë në shumë vende. Ka variacione të gjera, por pothuajse asnjë vend nuk ka mbetur i paprekur - madje edhe ata që dolën mirë në valën e parë.
Në të gjithë 31 vendet nga të cilat Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mbledh të dhëna kombëtare, niveli mesatar i rasteve 14-ditore për 100,000 banorë është shumëzuar nga vetëm 13 në mes të korrikut në pothuajse 250 javën e kaluar.
Ndërsa shtrimet në spital, rastet pozitive dhe vdekjet mbeten shumë poshtë niveleve të pranverës, ato po rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar probleme të rënda për shërbimet shëndetësore në disa vende.
Franca raportoi më shumë se 40,000 raste të reja në dy ditë këtë javë, duke e çuar shkallën e saj 14-ditore të rasteve në 521. Masa të rrepta, duke përfshirë një shtetrrethim nga ora 9 pasdite deri në 6 të mëngjesit tani mbulojnë dy të tretat e popullsisë.
Gjermania, shkalla e infeksionit e së cilës ishte shumë më e ulët se shumica e vendeve të BE-së në pranverë, po sheh gjithashtu raste të reja ditore në rritje alarmuese.
Spanja, një nga më të prekurat gjatë valës së parë, përsëri po përballet me krizë, duke u bërë vendi i parë i Evropës Perëndimore që kalon 1 milion raste këtë javë pasi regjistroi 20,000 infeksione të reja në dy ditë rresht.
Italia, një vend tjetër i goditur rëndë në pranverë, shënoi një rekord të ri të rastesh të premten me 19,000 infeksione mes frikës se pandemia përsëri po del jashtë kontrollit.
Epidemia në Belgjikë, e cila pësoi një nga numrat më të lartë të vdekjeve për frymë të Europës në pranverë, është "jashtë kontrollit" dhe "më e rrezikshmja në Evropë", sipas ministrit të shëndetësisë.
Republika Çeke, e vlerësuar si një sukses i valës së parë me normat e infeksioneve ndër më të ultat në kontinent, tani është ndër më të lartat. Ashtu si Belgjika, duket se po shkon drejt një bllokimi të ri.
Suedia ka vendosur masa të detyrueshme rajonale për të luftuar një valë të papritur që javën e kaluar pa numrin e infeksioneve të reja ditore të tejkalonte shifrën 1,000. Ndërkohë që në fillim të shtatorit, rastet shkonin deri në 150.
Finlanda, me një nga nivelet më të ulëta të infeksionit dhe vdekjeve në Europë për herë të parë, është një nga të paktat vende të BE-së që po lufton në mënyrë efektive këtë valë të dytë. Masat e ashpra rajonale kanë përmbysur një rritje në rastet e reja gjatë javës së kaluar.
Burimi: The Guardian