Bota

Presidenti Macron konfirmon izolimin e dytë: Prej të premtes, e gjithë Franca në karantinë

Shkruar nga Anabel

28 Tetor 2020

Presidenti Macron konfirmon izolimin e dytë: Prej të premtes, e

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka konfirmuar mbylljen e vendit për herë të dytë, të paktën për gjithë muajin nëntor. 

Karantina kombëtare do të nisë të premten dhe sipas masave të reja shtrënguese, njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpia vetëm për punë shumë të rëndësishme ose arsye shëndetësore. 

Restorantet, baret dhe bizneset jo kryesore do të qëndrojnë të mbyllura për gjithë muajin, ndërsa shkollat dhe fabrikat do të vijojnë punën. Numri i vdekjeve si pasojë e Covid-19, javët e fundit është më i larti që prej muajit prill. Vetëm të martën, në Francë u konfirmuan 33,000 raste të reja pozitive.

Karantina e dytë e Francës, sipas presidentit kërkon që njerëzit të plotësojnë një formular për të justifikuar daljen e tyre nga shtëpia, rregull i ngjashëm me atë të marsit. Grumbullimet e njerëzve janë të ndaluara dhe qytetarët do të lejohen vetëm 1 orë në ditë për t'u marrë me aktivitet fizik. Përsa i përket udhëtimeve, do të lejohen vetëm nëse janë udhëtime të rëndësishme pune, të cilat është e pamundur të kryhen nga shtëpia.

Edhe më herët, presidenti Macron u shpreh se vendi "rrezikon të jetë i mbingarkuar nga një valë e dytë e virusit, që do të jetë edhe më e rëndë se e para." Masat e reja do të jenë në fuqi deri më 1 dhjetor.

Burimi: BBC