Shqipëria

Covid-19: Masa të mundshme kufizuese në Tiranë dhe qytete të tjera

Shkruar nga Anabel

30 Tetor 2020

Covid-19: Masa të mundshme kufizuese në Tiranë dhe qytete të

Në një komunikatë për mediat ditën e djeshme (e enjte, 29 tetor), zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, njoftoi se po vlerësohet kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe kafeneve pas orës 22:00 në zonën e Ish-Blokut në Tiranë, megjithatë në një komunikim për Tv Klan, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik u shpreh se po vlerësohen masat e tjera.

“Me këtë nivel pozitiviteti [ndaj Covid-19] dhe me këtë nivel transmetueshmërie komunitare, numri i rritur nëpër spitalet Covid 1 dhe Covid 2, bëri që Komiteti Teknik të vlerësojë edhe një herë situatën. Do të vëzhgojmë të gjithë elementët aty ku kemi grumbullime masive, ku kemi rini.” – tha ajo.

Tv Klan raporton se Ish-Blloku nuk është e vetmja zonë në Tiranë me rrezikshmëri të lartë. Sipas Tominit, nuk përjashtohet marrja e masave të tjera kufizuese edhe në pjesë të tjera të Tiranës, për të mos shkuar në karantinë totale, ndonëse nuk përjashtohet si masë.

Burime për Tv Klan bëjnë me dije se përveç kufizimit të orarit të aktivitetit pas orës 22:00, një tjetër opsion mbetet edhe kufizimi i aktivitetit të bareve pas orës 20:00.