19-vjeçarja, Zoe Laverne, e cila ka thuajse 18 milionë ndjekës në aplikacionin TiKTok dhe njihet për videot e saj që prej vitit 2016, ka kërkuar falje sepse “pati ndjenja” për një fans 13-vjeçar, pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku të dy shfaqeshin duke u puthur.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë dhe në komentet e rrjeteve sociale, Laverne ka kërkuar falje për veprimet e saj, por mohoi të ketë “abuzuar” me 13-vjeçarin.
(Termi i përdorur ekzaktësisht ishte “grooming,” që i referohet ndërtimit të një marrëdhënieje emocionale me një fëmijë apo të ri, për ta manipuluar, shfrytëzuar dhe abuzuar me të”, sipas Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve (National Society for the Prevention of Cruelty to Children).
Laverne tha se ajo dhe djali në fjalë, i quajtur Connor Joyce, u bënë miq të mirë, por ajo e kuptoi se mosha është "një gjë e keqe", pasi u filmua videoja e puthjes së tyre.
Më 24 tetor, u publikuan mesazhet e një ish-shoqeje të Laverne dhe ish-të dashurit të saj. Në biseda, ish-shoqja e saj shkruante:
“Unë u largova për shkak të ndërveprimeve të saj me Connor. Ata u bënë shumë intensivë dhe është diçka që unë s’e përtyp dot. Është pedofili.”
Disa ditë më vonë, videoja e Laverne dhe Connor duke u puthur, shpërtheu në rrjetet sociale.
Edhe 13-vjeçari është i njohur në TikTok me rreth 400.000 ndjekës. Ai ka qenë bashkëpunëtor me Laverne në disa video, por tashmë ajo u shpreh se i kanë ndërprerë kontaktet.
“Nuk abuzova me Connor, nuk do ta bëja kurrë. Ai është një fëmijë dhe unë jam e vetëdijshme për këtë. Të dy ishim në një periudhë jo të mirë në jetën tonë. U bëmë miq dhe patëm ndjenja. Kjo nuk është një gjë e keqe. Por, po, mosha është një gjë e keqe. Është e gabuar. Ne e kuptuam këtë dhe ndaluam."
Edhe Connor është dakord me këtë deklaratë dhe ai gjithashtu theksoi se Laverne “nuk e përdhunoi”.
Para se t’i drejtohej audiencës së saj në një transmetim të drejtpërdrejtë, Laverne postoi falje të tjera në mediat sociale, përfshirë një që tregonte se ajo po shkonte në terapi.
Njerëzit duket se nuk janë aspak të bindur me “deklaratën” e saj. Ata thonë se “s’mund të kesh ndjenja për një të mitur” apo se “Laverne duhet të jetë në burg”.
Veprimet e 19-vjeçares ndjekin një varg akuzash për sjellje të keqe seksuale kundër influencuesve të nivelit të lartë në TikTok.
Në qershor, fotografi Bryant Eslava kërkoi falje për kërkesat për foto nudo, që iu kishte bërë vajzave.
Në gusht, ylli i TikTok, Tony Lopez kërkoi falje për dërgimin e mesazheve të qarta seksuale tek të miturit, duke shkruar se ai "menjëherë ndaloi", pasi mësoi se ishin të mitura.
Burimi: Insider