Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti drejtues pas konfirmimit të aktakuzës për krime gjatë luftës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.
Shën.red. Aktakuzë - Dokument që përmban të dhënat e akuzës së prokurorisë.
Në një deklaratë për mediat, Thaçi u shpreh se iu njoftua aktakuza ditën e sotme (e enjte, 5 nëntor). Ai tha se vendosi të japë dorëheqjen sepse nuk dëshiron të dalë para Gjykatës së Hagës si president i Kosovës, por si ish-drejtues i UÇK-së. “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë,” përfundoi ai deklaratën.
Një ditë më parë, edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, dha dorëheqjen nga posti drejtues dhe ditën e sotme do të niset drejt Hagës. Ai tha se vlerëson hetimet e Hagës dhe i sheh si mundësi për t’iu përgjigjur thashethemeve që kanë qarkulluar për shumë kohë.
Aktakuza përfshin edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Dhomat e Specilizuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (Holandë) janë ngritur për të hetuar krimet e pretenduara për anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkoi ndarjen e Kosovës nga ish-Jugosllavia. Krimet e pretenduara kanë të bëjnë me periudhën 1998-2000 dhe lidhen me vrasjen e serbëve, shqiptarëve, pakicave kombëtare dhe kundërshtarëve politikë.