Shëndeti

Ditëlindje apo festa të tjera gjatë pandemisë: Ç’duhet të dini për të qenë më të sigurt

Shkruar nga Anabel

5 Nëntor 2020

Ditëlindje apo festa të tjera gjatë pandemisë:

Ndërsa po i afrohemi sezonit të festave ose ditëlindja po ju afrohet, mund të pyesni nëse është e sigurt të organizoni një festë apo darkë me miqtë dhe familjen.

Megjithëse shumë restorante, biznese dhe shtete në tërësi kanë vazhduar rihapjen, rastet e konfirmuara të koronavirusit po rriten edhe një herë në të gjithë vendin.

Prandaj, nëse tashmë e keni vendosur se do të organizoni diçka me një numër të caktuar njerëzish, ka disa gjëra që duhet të dini e të merrni parasysh:

Sa njerëz do të jenë gjithsej?

Nëse përgjigja është më shumë se 10 persona, duhet të mendoheni dy herë, thotë Dr. Michael Richardson për Bustle.

“Nëse rastet në vendin tuaj janë në rritje, kjo nuk është koha më e mirë për të organizuar një festë. Për më tepër siguri, ju duhet të kontaktoni me mjekun tuaj dhe ta pyesni atë se sa e sigurt është ajo që ju keni në mendje.”

Festat më të sigurta janë ato me njerëz që i njihni mirë dhe që keni tashmë kontakt të afërt. Sidoqoftë, edhe nëse njiheni mirë me të gjithë të pranishmit, ju duhet të keni parasysh çdo rregull të përgjithshëm dhe të tregoheni të kujdesshëm.

Tani për tani, një rregull i dobishëm për festa dhe darka është: “Më shumë se 10, mendoje përsëri!”

Ku po zhvillohet festa?

Edhe pse kjo sa vjen e do të bëhet më e vështirë, me uljen e temperaturave, festimet në ambiente të hapura mbeten ato më të sigurtat.

Mjekët rekomandojnë të shmangen festat e mbajtura në hapësira të mbyllura dhe të vogla, si klube nate apo bare.

"Mbledhjet më të mira janë ato që janë jashtë dhe lejojnë njerëzit të përhapen për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të Covid-19", thotë Richardson.

Sigurisht që ju mund të jeni në kontakt me koronavirusin edhe jashtë, por rreziku është më i ulët. Sidoqoftë, të gjitha tubimet, pavarësisht se ku ndodhen, vijnë me një farë rreziku që rritet në varësi të asaj se sa është i mbushur me njerëz.

Si mund ta mbaj veten dhe të tjerët të sigurt?

Një festim më pranë ideales do të ishte: Ju i njihni mirë të gjithë të ftuarit dhe festa zhvillohet në një ambient të hapur. Nuk ka më shumë se 10 persona.

Sidoqoftë, ju ende duhet të merrni disa masa paraprake shtesë nëse doni të ulni rrezikun e infektimit.

E para dhe më rëndësishmja është: Mbajtja e maskave, nëse nuk jeni në gjendje të respektoni distancimin social.

“Maskat janë thelbësore në ndalimin e përhapjes së Covid-19 dhe nëse keni një maskë, ju po ndihmoni në mbrojtjen e shëndetit të të gjithë miqve dhe familjeve tuaja në mbrëmje", shprehet mjeku Richardson.

Duhet të tregohet një kujdes edhe me ushqimin. Pjatat e mëdha, ku të gjithë mund të prekin të njëjtën sipërfaqe, nuk janë zgjidhja më e mirë. Ju mund t’i sugjeroni miqve vakte të paketuara individualisht.

Gjithashtu, mos harroni më të rëndësishmen: Lani duart!