Nga dita e nesërme (11 nëntor) në vend hyjnë në fuqi masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Gjatë një komunikimi live në Facebook, ministrja Manastirliu tha se kufizimet e ndërmarra do të vijojnë të paktën deri në 2 dhjetor.
Nga nesër do të lejohet lëvizja vetëm gjatë orës 06:00-22:00. I njëjti orar vlen edhe për baret dhe restorantet, të cilët pas këtij orari do të mund të funksionojnë vetëm përmes shërbimit "delivery".
Ndër të tjera, Manastirliu tha se nga masat shtrënguese do të përjashtohen personat që lëvizin për urgjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të tjera të domosdoshme, por për dy kategoritë e fundit nevojitet leja që mund të merret përmes portalit e-Albania.
Masat e cilësuara me karakter mesatar do të zgjasin për 3 javë, ndërkohë që çdo 14 ditë bëhet vlerësimi nga Komiteti i Ekspertëve.