TV Mania

Albana Osmani thotë që s'ka pasur kurrë miqësi me Arbana Osmanin

Shkruar nga Anabel

15 Nëntor 2020

Albana Osmani thotë që s'ka pasur kurrë miqësi me

Albana dhe Arbana Osmani, dy moderatoret të cilat njerëzit shpesh i kanë ngatërruar për shkak të emrit, pjesë vetëm e Top Medias që nga fillimi i karrierës së tyre, nuk kanë qenë kurrë mikesha. E ftuar në “Shiko kush luan”, Albana u pyet gjatë lojës “Sfida e Paintball” se me kë moderator/e nuk flet më, pyetje e cila mori përgjigjen e mëposhtme:

“Le të themi kemi bërë qokat ‘gëzuar Vitin e Ri’ një herë në 700 vjet. Ku di unë. S’kam pasur kurrë miqësi dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë pse, por... [gjuan fotografinë e Arbanës].”

Të mos paturit miqësi me dikë, pavarësisht ambientit të përbashkët të punës për vite me radhë, nuk është dhe aq çudi sepse njerëzit nuk janë miq me të gjithë. Sidoqoftë, fjalia pasuese e Albanës, e vështirë për t’u “zbërthyer”, la të nënkuptuar se diçka mund të ketë ndodhur mes tyre.

“Ndoshta ngaqë jam më e gjatë dhe i shoh gjërat pak më nga lart. Ndoshta.” – tha ajo.

Zërat për largimin e Albanës nga Top Channel qarkulluan në korrik të vitit 2019. Burime për Syri.net dhe Prive raportuan se u largua për shkak të pakënaqësisë dhe mosmarrëveshjeve brenda televizionit. Po në korrik, e pyetur nga ndjekësit në Instagram në lidhje me largimin nga Top Channel, ajo tha:

“Unë qëndroj në statusin më të lartë në botë. Jam fëmijë i Perëndisë së gjallë. Atij i jam mirënjohëse për talentet, dhuratat dhe mundësitë për të realizuar çdo ëndërr timen me punë, energji dhe gëzim. Personalisht më pëlqejnë shumë sfidat ndaj jam gjithmonë gati për gjëra të bukura! Ka kaq shumë përpara dhe jam e lumtur!”

Momentalisht, Albana nuk është pjesë e ndonjë televizioni, por u shpreh në “Shiko kush luan” se dëshiron të kthehet. Ajo sapo ka botuar librin e saj të parë, “Çika në betejë me inteligjencën artificiale”. Ndërkohë në Instagram, Arbana është shprehur se do të kthehet në televizion në janar me “Dua të të bëj të lumtur”.