Sport

Ndahet nga jeta, legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona

Shkruar nga Anabel

25 Nëntor 2020

Ndahet nga jeta, legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona

Ish-futbollisti dhe trajneri i Argjentinës ka humbur jetën në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak, në shtëpinë e tij në Buenos Aires.

Më herët në nëntor, ai kreu një operacion të suksesshëm në tru dhe në vijim, do të trajtohej për varësinë nga alkooli.

Diego Armando Maradona është një legjendë argjentinase e futbollit, i vlerësuar gjerësisht si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave.

Ai lindi më 30 tetor 1960, në Villa Fiorito, një provincë e Buenos Aires, Argjentinë. I pesti nga tetë fëmijët e rritur nga Diego Sr. dhe Dona Tota, Maradona u rrit në një familje të varfër, por të lidhur ngushtë. Ai e mori topin e tij të parë të futbollit si një dhuratë në moshën 3 vjeç dhe u bë menjëherë i përkushtuar ndaj lojës.

Në moshën 10 vjeçare, Maradona u bashkua me Los Cebollitas, një ekip i të rinjve të "Argentinos Juniors", një nga klubet më të mëdha në Argjentinë. Duke treguar aftësinë e tij të mrekullueshme në moshë të hershme, Maradona udhëhoqi Los Cebollitas në një varg të pabesueshëm prej 136 ndeshjesh.

Ai bëri debutimin e tij profesional për ekipin e të rriturve pak para ditëlindjes së tij të 16-të.

Karrieria profesionale

Një mesfushor jo shumë i gjatë (165 cm), por i patrembur, i njohur për aftësinë e tij për të krijuar raste shënimi për veten dhe të tjerët, Maradona udhëhoqi ekipet e klubeve në kampionate në Argjentinë, Itali dhe Spanjë.

Ndahet nga jeta, legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona

Kulmi i karrierës së tij erdhi si kapiten i ekipit kombëtar të Argjentinës, që i solli skuadrës fitoren në Kupën e Botës 1986.

Performanca e tij atje përfshiu dy gola të paharrueshëm në një fitore çerekfinale ndaj Anglisë.

E para u shënua ilegalisht me dorën e tij të majtë, për të cilën Maradona më vonë pretendoi se ishte punë e "dorës së Zotit" dhe e dyta nuk kërkonte ndihmë të mbinatyrshme përveç një aftësie "të botës tjetër" për të dribluar një sulm të mbrojtësve dhe për të shënuar një nga golat më fantastikë të historisë.

Ndahet nga jeta, legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona
Goli i ashtuquajtur "Dora e Zotit"

Në tërësi, Maradona luajti në katër Kupa Botërore dhe shënoi 34 gola mbresëlënës në 91 paraqitje ndërkombëtare për Argjentinën.

Pavarësisht nga shkëlqimi i tij i padiskutueshëm në fushë, Maradona i adhuruar nga të gjithë, u bë dhe një figurë mjaft e diskutuar. Futbollisti u bë i varur nga kokaina ndërsa luante në Spanjë në vitet 1980 dhe mori një pezullim 15-mujor pasi testet vërtetuan konsumin e substancave në vitin 1991.

Ai mori një tjetër pezullim të profilit të lartë, 3 vite më vonë, gjatë Kupës së Botës.

Në vitin 1997, në prag të ditëlindjes së tij, Maradona njoftoi zyrtarisht daljen në pension dhe tërheqjen përfundimtare nga sporti.

Jeta pas futbollit

Problemet që munduan Maradonën më vonë në karrierën e tij, vazhduan edhe pas tërheqjes nga futbolli. Ai u shtrua në spital për probleme të zemrës në vitin 2000 dhe 2004.

Një sondazh në internet i kryer nga Fédération Internationale de Football Association e emëroi Maradonën lojtarin më të mirë të shekullit të 20-të, por edhe kjo ngjarje u shënua nga polemika. Një panel i posaçëm mendoi ta ndante titullin me Pelé, por Maradona refuzoi ta ndante skenën me legjendën braziliane të futbollit.

Në vitin 2008, ai u punësua për të trajnuar ekipin kombëtar Argjentinas. Edhe pse Argjentinasit mburreshin me një skuadër të talentuar me në krye Lionel Messi-n, ndoshta lojtari më i mirë në botë, ata u tërhoqën nga Kupa e Botës 2010 me një goditje 4-0 nga Gjermania në çerekfinale, dhe kontrata e Maradonës nuk u rinovua.

Ndahet nga jeta, legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona

Pavarësisht nga zhgënjimet publike, Maradona mbetet i dashur në Argjentinë si një djalë vendas që u ngrit nga asgjëja për të arritur kulmin e suksesit në një skenë ndërkombëtare.

Për shumë admirues dhe fansa, por edhe për profesionistë të futbollit, ai shpesh është cilësuar si “lojtar historik” apo “më i miri në botë”.

Më poshtë gjeni disa nga momentet më fantastike të tij në fushën e futbollit:

Burimi: BBC, Biography.com