Shqipëria

Nga përdorimi i kanabisit te dënimi me burg për montazhet: Drafti për Kodin e ri Penal

Shkruar nga Anabel

3 Dhjetor 2020

Nga përdorimi i kanabisit te dënimi me burg për montazhet: Drafti

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj njoftoi dy ditë më parë se është finalizuar procesi i diskutimit për konsultimin e Kodit Penal.

“Finalizuam sot proceset e diskutimit për konsultimin e Kodit Penal së bashku me përfaqësues nga institucionet e sistemit të drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, si edhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri. Nën kujdesin e Zv. Ministrit të Drejtësisë Klajd Karameta, të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi dhe ekspertes Tereza Merkaj, përmbyllëm kështu një diskutim transparent dhe profesional në rrugëtimin tonë të përbashkët për të vjelë çdo kontribut me vlerë për ta finalizuar këtë nismë ligjore.” – njoftoi ajo në Facebook.

Euronews.al raporton se drafti për Kodin e ri Penal u propozua nga ministrja në fillim të muajit tetor dhe nëpërmjet këtij drafti po rishikohen ndër të tjera edhe veprat për lëndët narkotive. Referuar draftit, shkruhet se nëse një person kapet me 10 gramë kanabis dhe vërtetohet se lënda narkotike është për përdorim vetjak, vepra nuk do të konsiderohet krim dhe nuk do të ketë asnjë masë.

Propozimet parashikojnë rritje të dënimit për krimet seksuale dhe aktivitetet pornografike. Tjetër propozim është edhe dënimi për realizimin e montazheve për qëllime materiale/jo materiale, të cilat kanë si qëllim të dëmtojnë reputacionn e një personi. Te “Cenimi i imazhit të personit” shkruhet:

"1. Publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se është i tillë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.

2. Ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj."

Nga përdorimi i kanabisit te dënimi me burg për montazhet: Drafti