Gra

10+ shenja që tregojnë që në fillim se marrëdhënia do të jetë abuzive

Shkruar nga Anabel

15 Dhjetor 2020

10+ shenja që tregojnë që në fillim se marrëdhënia

Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptosh në fillim të një marrëdhënieje nëse ajo do të bëhet abuzive më vonë. Në fakt, shumë abuzues mund të duken absolutisht të përsosur në sipërfaqe, sidomos në fazat e hershme të një marrëdhënieje. Sjelljet e pakuptimta dhe kontrolluese nuk shfaqen gjithmonë brenda natës, por vihen re teksa raporti zhvillohet.

Ashtu sic kuptohet edhe në realizimin e mini-serialit “Dashuria nuk vret”, krijuar nga Anabel Entertainment me Nilor Film në kuadër të fushatës se Un Women dhe Anabel Media kundër dhunës me bazë gjinore, sjelljet e rrezikshme mund të vihen re që në fillim të raportit.

Në serinë e parë, vajza protagoniste, interpretuar nga aktorja Ketjona Pecnikaj, befasohet nga sjellja agresive e partnerit të saj, interpretuar nga Amri Hasanlliu, kundrejt një personi rastësor në rrugë, por thotë se “i pëlqeu” sepse në dukje ishte një sjellje për të mbrojtur atë. Në fund të pjesës së parë, vajza e abuzuar thotë se erdhi një moment kur ai i largoi miqtë.

Në vijim gjeni një listë me shenja të cilave duhet t’u kushtoni rëndësi sepse mund të jenë tregues se marrëdhënia dhe partneri janë abuzivë.

1. Ju turpëron ose ju bën të ndiheni e pavlefshme.

2. Sillet, flet dhe vepron përmes një mënyre që ju frikëson.

3. Kontrollon se me kë dilni, ku shkoni dhe çfarë bëni.

4. Ju mban larg ose ju pendon të shihni familjarët dhe miqtë.

5. Merr paratë tuaja ose refuzon t’ju japë para për të shpenzuar.

6. Ju pengon të vazhdoni shkollën ose punën.

7. Ju fajëson për abuzimin dhe thotë se fajin nuk e kishte ai.

8. Shkatërron objekte, sende ose dëmton kafshët shtëpiake.

9. Ju kërcënon.

10. Ju ushtron presion për të kryer marrëdhënie ose për të bërë gjëra seksuale me të cilat ju nuk jeni dakord.

11. Ju ndalon të përdorni kontraceptivë ose ju ushtron presion që të mbetni shtatzënë kur nuk jeni gati.

12. Ju prek fort fizikisht në mënyrë që të shkaktojë lëndime.

Burimet: UN Women  Albania, National Domestic Violence Hotline