Kompatibilitet

Një analizë e Mozzik dhe Loredanës, si (ish)çift Peshore dhe Virgjëreshë

Shkruar nga Anabel

24 Dhjetor 2020

Një analizë e Mozzik dhe Loredanës, si (ish)çift Peshore

Mozzik ka lindur më 29 shtator. Loredana ka lindur më 1 shtator. Ndonëse në të njëjtin muaj, kemi të bëjmë me një Peshore dhe një Virgjëreshë. Lidhja e tyre u përfol për herë të parë në 2017-n dhe më pas dolën publikisht. Bashkëpunuan, u bënë prindër të Hanës, u ndanë dhe së fundmi duket se janë sërish çift, ndonëse nuk e kanë pranuar. Qofshin ose jo në një marrëdhënie romantike, raporti i tyre duket në ditë të mira. Po planetët ç’thonë?

Peshorja preferon të admirohet, ndërkohë që Virgjëresha e ka të vështirë t’i përkëdhelë egon dikujt. Kështu, duhet që këto dy shenja të kenë një sistem të përbashkët në mënyrë që marrëdhënia e tyre të funksionojë. Mozzik dhe Loredana duket se e nisën historinë nga pëlqimi për muzikën dhe veçanërisht për atë hip-hop.

Virgjëresha admiron mendjen e pastër të Peshores dhe nxit ekuilibrin për të gjitha gjërat. Janë një imazh i përsosjes, ndonëse duken disi të ftohtë në paraqitjen e tyre. Thënë kjo, a kujtoni ndonjë deklaratë klasike dashurie të dyshes? Sigurisht që jo. Por patjetër që tekstet paksa të ashpra të tipit “Bonnie & Clyde” apo “Romeo & Juliet” në versionin modern vlejnë të përmenden. “Për ty e mbys një gjarpër, ta maroj jaknën/ Me ty e ndaj ditën, me ty e ndaj natën/ Me ty e ndaj kadën, bukën, pjatën'/ Ti puthi gishtat kur ta shoh unazën”.

Virgjëresha është shumë e prerë për detajet personale. Preferon të mos flasë. E kundërta ndodh me Peshoren, një shenjë që zakonisht njihet si “thashethemi i zodiakut”. Loredana, si Virgjëreshë, preferoi të mos ndante detaje për ndarjen e saj nga Mozzik, ndërsa ky, si Peshore, nuk i kurseu sqarimet në Instagram. Madje e akuzoi se po përdor vajzën për t’u viktimizuar. Lori, tipike për Virgjëreshat, reagoi përmes një deklarate pak pasivo-agresive në këngën “Angst”. “Dhe për Mozzik, ti je babai i vajzës sime. Kështu që lëri komentet. Unë kurrë s’do të flas keq për babain e fëmijës sim. Sepse ka diçka që quhet edukatë dhe respekt,”tha ajo.

Kur këta të dy janë të sinkronizuar, Virgjëresha ndihmon Peshoren të planifikojë hapat për të realizuar një ëndërr të madhe që është ende koncept, ndërsa Peshorja e largon Virgjëreshën nga gracka e mikro-mendimeve dhe i ofron një pamje më gjithëpërfshirëse.

Peshorja i kujton Virgjëreshës që të ndalojë punën dhe të shijojë kohën e lirë. Kur kjo gjë nuk ndodh, nisin problemet. Mendohet se një nga arsyet e ndarjes së Mozzik dhe Loredanës është fakti që Loredana, si Virgjëreshë, nuk pranonte që të linte mënjanë karrierën, ndryshe nga Mozzik, i cili thuhet se ishte i mendimit që të dy duhet të shkëputeshin pak nga koncertet dhe muzika dhe të përqëndroheshin te familja. Ky pretentim nuk është konfirmuar, por nuk është çudi. Që pas ndarjes, Lori ka publikuar një album, ka bashkëpunuar me disa këngëtarë, ka nxjerrë një mini-dokumentar në Spotify. Ndryshe nga Mozzik, i cili ka qenë më i qetë me prurjet muzikore, duket se Lori nuk ka ndaluar në asnjë moment të punojë.

Kur vjen puna te kimia në çift, Peshorja dhe Virgjëresha vishen për të lënë përshtypje. Stili i Mozzik dhe Loredanës është lehtësisht i dallueshëm. Pëlqejnë biseat, kanë standarde të njëjta, janë të përkushtuar dhe kanë një rrjet të konsiderueshëm miqsh.

Problemi i vetëm i këtij çifti është fakti që Peshorja është idealiste, ndërsa Virgjëresha realiste. Por pavarësisht të gjithave, dashuria është shumë më tepër se shenja e horoskopit dhe detajet e fundit e konfirmojnë këtë.

- Për realizimin e artikullit u përdorën pjesërisht referenca nga LiveAboutDotCom, Astrology dhe CafeAstrology