Art & Libra

Babagjyshi në qytetin e një mbi një dritareve

Shkruar nga Anabel

24 Dhjetor 2020

Babagjyshi në qytetin e një mbi një dritareve

“Babagjyshin e përfytyrojnë të ulur pranë zjarrit bubulak, duke lexuar me kërshëri çdo letër fëmije dhe duke menduar se cili prej tyre do të meritonte një dhuratë në Natën Magjike. Por, në të vërtetë, gjërat janë paksa më ndryshe! Jeta e elfëve dhe e Babagjyshit, që fëmijët e duan aq shumë, ndonjëherë mund të ndërlikohet në mënyrë të befasishme e t'i përfshijë ata në biseda të gjata ose edhe më shumë se kaq, në aventura të çuditshme. Ja, pikërisht në një mëngjes dhjetori, kur dita dukej se kishte nisur mirë e bukur, dy elfë po flisnin të shqetësuar mes tyre dhe po përpiqeshin të kuptonin diçka më shumë rreth fjalëve që Babagjyshi kishte shqiptuar atë mëngjes.” – shkruhet në kopertinën e pasme të librit “Udhëtimi i babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”.

Nga vetë emri, kuptojmë se bëhet fjalë për një udhëtim në Berat, i cili njihet si qyteti i një mbi një dritareve, ndonëse në titull është përdorur “1001 dritareve” për thjeshtuar pak për fëmijët.

Libri, me autore Persida Asllanin, pedagoge në Departamin e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe ish-drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, është një bashkëpunim mes shtëpisë botuese Pegi dhe platformës Babagjyshi Sekret.

“Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve” u frymëzua nga letrat kreative dhe të larmishme të fëmijëve të shkruara për Babagjyshin Sekret. “Do të sjellë për lexuesit e vegjël dhe të rritur, jetesën e Elfëve dhe Babagjyshit në Polin e Veriut, të cilët zbresin në qytetin e Beratit,” shkruan faqja e platformës në Facebook.

E ftuar në “Live from Tirana” në Top Albania Radio, Persida Asllani u shpreh se libri përqëndrohet te nata magjike e shpërndarjes së dhuratave, por mënyra se si shkohet drejt Beratit është si ftesë që vjen prej një fëmije. Gjatë rrëfimit, ka letra të fëmijëve ku tregojnë dëshirat, shqetësimet dhe kapriçot e tyre.

Ndonëse promovimi i Beratit nuk ishte qëllim në vetvete, autorja tha se është arritur dhe një prezantim i këndshëm i qytetit dhe nuk përjashtoi krijimin e serive të ardhshme në qytete të tjera shqiptare.

Babagjyshi në qytetin e një mbi një dritareve