Kosova

Ngjarja tronditëse e Albert Krasniqit: Xhaxhai i viktimës zbulon detaje të reja!

Shkruar nga Anabel

29 Janar 2021

Ngjarja tronditëse e Albert Krasniqit: Xhaxhai i viktimës zbulon

Biznesmeni Albert Krasniqi, u vra në 27 janar nga i ati, i cili më pas njoftoi policinë. Ditën e sotme, janë zbardhur detaje të tjera në lidhje me ngjarjen.

Ngjarja ndodhi në parkingun e ndërtesës ku ata banonin. Në rrethana ende të paqarta Skënder Krasniqi ka qëlluar ndaj djalit të tij, i cili si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ndërroi jetë menjëherë.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se se në vendin e ngjarjes u gjet një revole, një karikator, tre fishekë, një gëzhojë dhe një predhë. Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të lërë në burg Skënder Krasniqin, ndërkohë që xhaxhai i viktimës, Ismet Krasniqi, për mediat në Prishtinë, dha një version tjetër të historisë.

Sipas tij, Skënderi e ka qëlluar aksidentalisht djalin.

“Së pari, i falenderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në varrim. Për fat të keq, në familjen tonë ndodhi një fatkeqësi që ndodh shumë shpesh nëpër shumë vende të botës, edhe në Kosovë. Rastësisht. djali i vëllait ka blerë një pistoletë, ia ka treguar babait të tij, plumbi ka qenë brenda dhe ai s’e ka ditur se ka patur plumb.

Apel për kujdes, se arma është e shejtanit, jo e njeriut. Për fat të keq, rinia e sotshme është mësuar me to dhe është një e metë e madhe. Shpresoj që policia në të ardhmen të merret me këtë punë dhe t’i konfiskojë armët, sidomos atyre që i shesin”, u shpreh Krasniqi.

Ai shtoi:

“Alberti dihet se ka qenë djalë problematik, por sa i përket familjes ka qenë djalë i mirë.”

Në lidhje me marrëdhënien e Albert Krasniqit me ish-gruan, xhaxhai konfirmoi ndarjen, por mohoi se i ndjeri e ka dhunuar.

“Ka qenë e vertetë, janë ndarë disa herë, duke qenë se rinia sot për një problem të vogël ndahen, por s’ka pas problem të madh për t’u ndarë, nuk ka qenë ndonjë ndarje e përjetshme. Ishte ndarje e përkohshme, që ka ndodhur dhe herë të tjera, por lirisht tani mund të themi se është ndarje e përjetshme, se Alberti vdiq”, tha ai për Gazetën Express.

“Janë “përlarë”, ama dhunë s’di. Janë zënë si burrë e grua që zihen. S’ka pas mosmarrëveshje, vetëm burrë e grua.”

Xhaxhai gjithshtu mohoi që i ndjeri të ketë sulmuar babain e tij, para se ky i fundit të shkrepte armën e zjarrit:

“Ai babain e ka patur gjithçka. S’ka shanse të kishte ndodhur. Ai çdo të mirë e të keqe, e ka parë me babain e vet. Skënderi është munduar të zbusë situatën për të raportuar në polici, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka patur me gruan. Edhe Alberti, ndoshta prej frikës, ka blerë një armë. Ka qenë aksident. Vëllai im ka qenë ushtar, por këto ndodhin dhe tek profesionistët.”

Burimi: ABC, Top Channel