Aktoret Tina Fey dhe Amy Poehler, të cilat prezantuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globes, nuk e kursyen ironinë për nominimet e “Emily in Paris” dhe “Music”, ky i fundit i prodhuar nga këngëtarja dhe tekstshkruesja Sia.
Pasi u ndalën te The Hollywood Foreign Press Association - një organizatë jofitimprurëse e gazetarëve dhe fotografëve të cilët raportojnë mbi aktivitetin dhe interesat e industrisë së argëtimit në SHBA – për faktin që nuk kanë punësuar njerëz me ngjyrë, Amy Poehler tha, “Shikoni, shumë mbeturina që [thjesht] bien në sy u nominuan këtë vit”.
“Emily in Paris” ishte goditja më e ashpër e monologut të tyre. "Emily në Paris është nominuar për serialin më të mirë televiziv muzikal ose komedi dhe unë për një, mezi pres të zbuloj se cila është", tha Tina Fey. Pastaj, duke iu referuar një filmi tjetër të nominuar, ajo shtoi: "French Exit është ajo çfarë bëra pasi pashë episodin e parë të Emily In Paris".
Njerëzit në Twitter përgëzojnë aktoret për faktin që ngritën zërin për mungesën e diversitetit dhe folën haptazi për nominimet e shumëpërfolura dhe të shumëkritikuara të këtij viti.
Kur nominimet e edicionit të 78 të Golden Globes u bënë publike, njerëzit prisnin shumë gjëra, përveçse të shihnin “Emily in Paris” të nominuar jo një, por dy herë dhe në kategori të rëndësishme.
Prodhimi i Netflix u nominua për “Serialin më të mirë komedi” – ndërkohë që njerëzit në Twitter shkruan se askush nuk qeshi – ndërsa aktorja Lily Collins u nominua për “Aktoren më të mirë” – ndërkohë që sërish Twitteri reagoi duke thënë se nuk do shumë mund të “aktrosh si një vajzë e këndshme dhe e famshme në Instagram”. Madje edhe vetë një nga skenaristet e serialit, Deborah Copaken, mbeti pa fjalë.
“Music” u nominua për “Filmin më të mirë – muzikal ose komedi”, ndërsa Kate Hudson u nominua për “Aktoren më të mirë në një film – muzikal ose komedi”. Njerëzit krijuan një peticion online për të hequr nominimet e “Music”, peticion që u firmos nga mijëra njerëz.
Filmi me regji të Sia-s u kritikua fill pas publikimit të trailerit në nëntor, por kritikat u bënë më të ashpra këtë muaj, sa njerëz të thjeshtë dhe profesionistë po kërkojnë bllokimin e tij.
“Një dramë e rrënuar me zgjedhje të këqija të regjisorit. Le të vendosim një paruke të madhe dhe të pretendojmë se nuk ka ndodhur kurrë,” shkroi Adam White, një nga kritikët në Rotten Tomatos. “Kjo është tragjedia e ‘Music’, që askush nuk u fut në flluskën e Sia-s gjatë këtyre pesë viteve që po prodhohej filmi,” shkruan Kate Mossman.
Nëpër komente online, njerëz të shumtë theksojnë se filmi nuk mund të shihet dhe mbi të gjitha është i dëmshëm dhe fyes ndaj individëve me nevoja të veçanta. Ata thonë se filmi i Sia-s nuk është vetëm i tmerrshëm për t'u parë, por edhe i rrezikshëm.