Në një intervistë për emisionin “ABC-ja e pasdites”, Linda Rei deklaroi se është shtatzënë. Në fillim u duk si shaka, por më pas shtoi se është rreth 2-3 muajshe shtatzënë, pa preferuar të japë detaje sepse “është pak shpejt”. “Le të presim momentin e duhur,” u shpreh ajo.
Natyrshëm kushdo mund të pyesë se a është e mundur që një person transgjinor (pra në rastin e Lindës, lindur me seksin mashkull, por e identifikuar si grua) të sjellë në jetë një fëmijë? Në teori, procedua nuk është e pamundur, ndonëse e vështirë dhe e rrezikshme.
Kur Mats Brännström – profesor në Universitetin e Gothenburg dhe kryetar i Departamentit të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, Instituti i Shkencave Klinike në Suedi - ëndërroi për herë të parë për të kryer transplantin e mitrës, ai parashikoi të ndihmonte gratë që kishin lindur pa organ ose u duhej të bënin histerektomi. Dëshira e tij ishte t'u jepte atyre një mundësi për të lindur fëmijët, veçanërisht në vende si Suedia ku shtatzënitë përmes një nëne surrogate janë të paligjshme.
Scientific American raporton se ai provoi procedurën te brejtësit femra, pastaj kaloi tek delet dhe babunët. Ai ka kryer transplante të mitrës te disa gra jotransgjinore dhe kanë ardhur në jetë disa foshnja. Ndërhyrjet e tij të jashtëzakonshme ndezën dëshirën e grave transgjinore për të lindur fëmijë.
Problemi me transplantin e mitrës është jashtëzakonisht kompleks sepse duhen shumë burime, duke kërkuar dhjetëra njerëz që të jenë pjesë e një personeli shëndetësor dhe të ketë një koordinim të kujdesshëm. Së pari, mitra, venat dhe arteriet shoqëruese duhet të hiqen nga një dhurues, që mund të jetë person i gjallë ose kufomë. Pastaj organi duhet të vendoset te personi dhe të shihet nëse funksionon, fillimisht duke shkaktuar menstruacionet. Nëse pacienti nuk ka komplikime të mëtejshme, mjekët mund të implantojnë një embrion përmes fekondimit in vitro.
Foshnja duhet të lindë përmes një operacioni cezarian – si një masë paraprake sigurie për të shmangur shokun në organin e transplantuar. Procesi i komplikuar i shtatzënisë kërkon më shumë sesa thjesht një mitër për të sjellë në jetë një fëmijë.
Por për një grua transgjinore (edhe pas ndryshimit të organit gjenial nga penis në vaginë) procesi është shumë më i vështirë sepse ka lindur pa sistemin riprodhues femëror. Grave transgjinore u duhet një mjedis hormonal për të ushqyer mitrën, së bashku me vaginën.
Ekspertët e riprodhimit thonë se për këta individë, të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin këto hapa, shtatzënia është teorikisht e mundur – thjesht jo e lehtë.
Transplanti i mitrës është realizuar edhe më parë, në një nga përpjekjet mjekësore të para të fushës. Transplanti u krye të artistja daneze Lili Elbe (1882-1931). Lili (potretizuar nga aktori Eddie Redmayne në filmin "The Danish Girl"), me shpresën se do të kishte një fëmijë me të fejuarin e saj, iu nënshtrua transplantit të mitrës në vitin 1931, në Gjermani në moshën 48-vjeçare. Për fat të keq, ajo pati një infeksion post-kirurgjikal dhe ndërroi jetë nga arresti kardiak tre muaj më vonë. Shumë pak të dhëna dihen për teknikat që përdorën kirurgët, pasi informacionet humbën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot, është e pamundur të dihet nëse operacioni mund të kishte rezultuar në shtatzëni të suksesshme.
Në ditët e sotme, shtatzënia është e mundur për burrat transgjinorë që kanë vaginë, vezore dhe mitër funksionale, por për gratë transgjinore, si rasti i Lindës, duhen ende studime të mëtejshme dhe nuk janë raportuar transplante të mitrës dhe shtatzëni të suksesshme, prandaj deklarata e Lindës është e paqartë dhe konfuze.
Një tjetër mënyrë se si një grua transgjinore të ketë fëmijë biologjikë është që përpara heqjes së organit gjenital (penis) të grumbullohet sperma dhe të ngrihen spermatozoidët, në mënyrë që në një afat të pacaktuar, të kombinohen me vezën e dikujt tjetër. Për momentin, shtatzënia e grave transgjinore është një territor i panjohur.