KORONAVIRUS

Eksperti i EMA-s tha se ka lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut: Reagon EMA

Shkruar nga Anabel

6 Prill 2021

Eksperti i EMA-s tha se ka lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes

Rregullatori i barnave në Europë ka mohuar lidhjen midis vaksinës Oxford / AstraZeneca dhe një sindromi të rrallë të mpiksjes së gjakut, pasi një zyrtar i lartë nga agjencia tha se kishte një lidhje mes tyre.

Në një deklaratë për Agence France-Presse, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha ditën e sotme se "nuk kishte arritur ende në një përfundim dhe se rishikimi aktualisht po vazhdon", duke shtuar se pritet t’i njoftojë përfundimet e saj të mërkurën ose të enjten.

Marco Cavaleri, shefi i vaksinave të EMA-s, tha më herët për gazetën italiane Il Messaggero se për mendimin e tij "ne mund ta themi tani, është e qartë se ka një lidhje me vaksinën...Por ende nuk e dimë se çfarë e shkakton këtë reagim". Rregullatori më pas tha se vaksina ishte e sigurt dhe efektive, por shtoi se nuk mund të përjashtonte përfundimisht një lidhje midis vaksinës dhe sindromës së rrallë të mpiksjes së gjakut dhe kështu po vazhdonte hetimet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, EMA dhe Agjencia Rregullatore e Produkteve Shëndetësore dhe Mjekësore (MHRA) kanë theksuar se të gjithë njerëzit duhet të vazhdojnë ta marrin vaksinën sepse përfitimet në parandalimin e infeksionit Covid-19 dhe ndërlikimet vazhdojnë të tejkalojnë çdo rrezik.

Shumica e vendeve kanë rifilluar vaksinimin me vaksinën e AstraZeneca, por disa - duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Hollandën dhe Kanadanë - kanë pezulluar përdorimin e saj tek njerëzit e moshës nën 55, 60 ose 65 vjeç.

Në një studim në fund të marsit, kompania AstraZeneca njoftoi se vaksina është 79% efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike në një provë të madhe në SH.B.A., Kili dhe Peru.

Vaksina rezultoi 100% efektive kundër sëmundjeve të rënda ose kritike dhe shtrimit në spital dhe është e sigurt, u shpreh kompania, duke publikuar edhe rezultatet e studimit te më shumë se 32,000 vullnetarë në të gjitha grupmoshat.

AstraZeneca theksoi se të dhënat nuk tregojnë se vaksina shkakton trompozë të sinusit venoz cerebral, që është një mpiksje gjaku e rrallë në tru. Duke adresuar çështjen që ka dëmtuar besimin në vaksinë në javët e fundit, kompania theksoi se vaksina nuk shkakton mpiksje të gjakut.

Eksperti i EMA-s tha se ka lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes

Burimet: Guardian, Agence France-Presse