Çfarë po ndodh rreth nesh

Xhihadisti shqiptar, intervistë për ‘Le Iene’

30 Janar 2015

Xhihadisti shqiptar, intervistë për ‘Le Iene’

Emisioni investigativ italian “Le Iene”, ka mundur të sigurojë një intervistë me një nga luftëtarët shqiptarë të  Al Kaedës në Siri.  Siç është shprehur dhe gazetari, pas këmbënguljes së vazhdueshme, personi në fjalë më në fund ka pranuar të bëjë intervistën dhe është shfaqur në ekran më fytyrë të mbuluar si dhe i ka pregatitur ata se nuk do të mund t’i përgjigjej të gjitha pyetjeve që mund të kishin. Xhihadisti, i cili flistë në dialekt geg, ka treguar se në Siri krah tij kishte luftëtarë nga të gjitha vendet e botës. “Kanadezë, francezë, anglezë...nga e gjithë bota,” është shprehur ai.

“Isis ka lindur nga Al Nusra, dhe Al Nusra që është Al Kaeda,” ka thënë xhihadisti pasi është pyetur nëse ishte pjesë e Isis, i kujdesshëm për të mos dhënë asnjë informacion që mund të ishte i dëmshëm për të.

Ai ka treguar edhe rrugëtimin e tij deri në Siri duke treguar se ishte nisur nga Rinasi me katër shokë, njëri prej të cilëve madje i arsimuar për farmaci. Më pas ka rrëfyer se me të mbërritur në Siri, janë pritur nga disa miq kosovarë dhe ka thënë që të nëse dikush do të bëhet luftëtar, duhet të ketë patjetër lidhje të tilla.

I pyetur se çfarë kanë bërë pasi kanë mbërritur në Siri, ai është përgjigjur se kanë bërë stërvitje dhe kanë lexuar Kuranin. Sipas tij, stërvitja bëhet e specializuar në varësi të dëshirës të secilt. Pra dikush mund të kërkojë të stërvitet për të qenë snajper, ekspert i lëndëve plasëse e kështu me radhë. Ai ka shpjeguar se janë me qindra kamikazët që janë të gatshëm të japin jetën në rastet kur është e pamundur ndërhyrja në forma të tjera dhe ai vetë e pranon se është një prej tyre. “Deri sa te sigurohet feja dinjiteti dhe pasuria e muslimaneve, ne do të vazhdojmë të luftojmë,” është shprehur ai.

“Çfarë ke për t’u thënë familjarëve të 12 personave që humbën jetën në Paris?” u pyet ai nga gazetari. “E drejta e tyre, mbaron aty ku fillon e drejta jonë,” ka thënë xhihadisti, i cili pranon se për të, vëllezërit Cherif janë martirë, të cilët kanë mbrojtur nderin e muslimanëve.