KORONAVIRUS

Shenjat post Covid-19: Kur s'ka vend për alarm dhe çfarë duhet të dimë

Shkruar nga Anabel

10 Prill 2021

Shenjat post Covid-19: Kur s'ka vend për alarm dhe çfarë

Përmes një postimi në Facebook, shefi i Urgjencës, Skënder Brataj ka folur për pasojat me të cilat shpesh njerëzit përballen pas kalimit të Covid-19. Sipas tij, jo në të gjitha rastet shenjat që mund të shihni në grafi apo skaner kanë diçka për t'u shqetësuar pasi minimalisht mushkëria kërkon një periudhë 3 mujore për t'u rikuperuar.

Si duhet të veprojmë pasi kemi kaluar Covid-19 dhe kemi shenja për një kohë të gjatë(Long Covid-19)?

"Quhet sindroma Long Covid-19, ose Post-Covid -19 periudha pasi kemi kaluar sëmundjen. Ajo karakterizohet nga pasoja që mund të ngelen me ditë, javë ose muaj para se të shërohen plotësisht. Ato janë veçanërisht në ata që kanë kaluar sëmundjen në një formë të mesme ose të rëndë dhe me pneumoni. Pasojat e raportuara në literaturë tregojnë se janë dëmtimet që i përkasin mushkërive, ato kardiologjike, renale, hepatike, neurologjike me një përqindjet të këtyre shqetësimeve që variojnë nga 5 në 50%. Për këtë arsye duhet të kemi parasysh mënyrën e ndjekjes së këtyre personave dhe ekzaminimet që duhet të kryhen. Kontrolle post Covid-19 duan ekzaminime specifike sidomos për mushkëritë si (CDI propozon pletizmografi dhe DlCO(shpërndarjen alveolare kapilare të monoksidit të karbonit),( Provat pulmonare), testi i ecjes në këmbë(Caming Test), skaneri i mushkrive, teste laboratorike. 

Në literaturë, prevalenca e pacientëve me simptoma në javët e fundit ose muaj pas kalimit të sëmundjes dhe negativizimit të parametrave është rreth 10%. Shumë prej këtyre pacientëve kanë pasur probleme me mushkritë dhe frymëmarrjen. Një shenjë e shpeshtë që është hasur është humbja e nuhatjes dhe shijes e cila shpesh është prezantimi i vetëm i post-Covid-19. Kohëzgjatja e tyre ndryshon nga personi në person, biles ka pasur edhe pas një viti që nuk janë shëruar plotësisht nga ky shqetësim. Ato kanë qenë të formave me çrregullim të lehtë, ose në përmirësim shumë të ngadaltë. Nuhatja rikuperohet zakonisht pas shijes. Ajo mund kthehet përmes trajtimeve të përsëritura 20-30 minuta me esenca të tilla si trëndafili, eukalipt, karafil, limon, etj, për 12 javë.

Më pak të shpeshta, por po aq të përsëritura janë, dhimbje të kyçeve, muskujve, kolla e thatë, dispnea kronike, veçanërisht si rezultat i pneumonisë intersticiale, lodhje kronike dhe dhimbje koke. Ato zakonisht kanë trajtim simptomatik me medikamente të ndryshme kundër dhimbjeve ose shqetësimeve të tjera të cilat reagojnë mirë. Po ashtu kërkohet terapi specifike për rehabilitimin e frymëmarrjes, për të rikuperuar indet e dëmtuara dhe vatrat e shumta të pneumonisë. Pacientët duhet të fillojnë një aktivitet të lehtë fizik, fillimisht duke praktikuar fryrjen e tullumbaceve disa herë në ditë dhe duke bërë fizioterapi të mushkrive, pastaj gradualisht të kthehen në jetën e përditshme. Shenja të tjera janë, humbje e përkohëshme e flokëve, diabeti post-covid, një sindromë e njohur nga përdorimi i kortikosteroideve në pacientë ku ato janë përdorur. Po ashtu sindroma e stresit post-traumatik me ankth, depresion, pagjumësi."- përfundon Brataj.

Shkencëtarët në të gjithë botën po studiojnë efektet afatgjata të virusit, zakonisht të referuara si simptoma "të gjata Covid". Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rendit lodhjen, gulçimin, kollën, dhimbjen e kyçeve dhe dhimbjen e gjoksit si simptomat më të zakonshme afatgjata. Të tjerat, të tilla si vështirësia në të menduar dhe përqendrimi - i njohur si "mjegulla e trurit", depresioni dhe dhimbja e kokës, raportohen gjithashtu.

Shenjat post Covid-19: Kur s'ka vend për alarm dhe çfarë