Gjatë një interviste me Jonida Shehun për Abc News, mjeku shqiptar në Londër, Luan Shapo foli për situatën e Covid-19 atje duke e paralelizuar me situatën epidemiologjike në Shqipëri.
Ai tha se në Britani, rezultatet entuziaste vijnë si pasojë e mbylljes së gjatë dhe njëkohësisht vaksinimit masiv. E ndërsa përsa i përket vendit tonë, mjeku foli me optimizëm për muajt në vijim.
“Imuniteti natyror në Shqipëri ka përparuar, por nuk besoj se është arritur imuniteti i tufës. Do të thoja se siç ka vazhduar me dy doza tek personeli shëndetësor ashtu të vijohet edhe me grupet e tjera të riskut. Duhet të operohet me dozën e dytë sa të munden dhe aty ku munden."
Sipas tij, vera në vend do të jetë shumë më e liruar dhe ndërveprimi me njerëzit gjithashtu. Ndër të tjera, sipas tij vendet e tjera janë shumë pas Britanisë përsa i përket procesit të vaksinimit.
“Nga 17 maji pritet që hapja të bëhet më e plotë (në Britani) dhe aty do të shikojmë se sa shumë do të ketë ndërveprim njerëzor. Aty ku punoj ka një rritje të raste me variantit jug-afrikan dhe tani rastet po ndiqen shtëpi me shtëpi. Ky variant tenton t’i dredhojë si imunitetit natyral, si vaksinës”, -përfundoi ai.