High Tech

Pas këtij gabimi, Instagram u kërkon falje të gjithë përdoruesve me çrregullime të të ngrënit!

Shkruar nga Anabel

15 Prill 2021

Pas këtij gabimi, Instagram u kërkon falje të gjithë

Instagram ka kërkuar falje për një “gabim” që promovonte përmbajtje (content) për humbje peshe tek përdoruesit me çrregullime të të ngrënit.

Një tipar i ri në rrjetin social u ofron përdoruesve terma të sugjeruar të kërkimit bazuar në interesat e tyre, përfshirë terma të tillë si "puna në oborr", "dekori i shtëpisë" ose "perëndimi i diellit". Por disa njerëz me çrregullime të të ngrënit panë që aplikacioni po i shtynte ata të kërkonin terma si "shtypës i oreksit", duke rritur rrezikun e një rikthimi/përkeqësimi të gjendjes së tyre.

Facebook, i cili zotëron Instagram, tha se përfshirja e termave të tillë të dëmshëm, raportuar së pari nga BBC, ishte në mbikëqyrje dhe se këto terma ishin hequr pas azhornimit.

"Për t'i ndihmuar njerëzit të zbulojnë përmbajtjen për të cilën interesohen, kohët e fundit kemi hedhur një mënyrë të re për të kërkuar në Instagram përtej hashtags dhe emrave të përdoruesit, ku ju shkoni tek shiriti i kërkimit dhe ju sugjerojmë tema që mund të dëshironi të kërkoni", tha kompania në një deklaratë.

“Këto sugjerime, si dhe vetë rezultatet e kërkimit, janë të kufizuara në interesat e përgjithshëm të përdoruesit. Humbja e peshës nuk duhet të ishte një prej tyre dhe ne kemi ndërmarrë hapa për të parandaluar që këto terma të shfaqen. Na vjen keq për çdo konfuzion të shkaktuar. ”

Instagram ka pasur rregulla relativisht të shtrënguara për postimet e humbjes së peshës që nga viti 2019, kur kompania vendosi kufizime në postimet në lidhje me produktet dietike dhe kirurgjinë kozmetike. Postimet që promovojnë përdorimin e produkteve të caktuara për humbje peshe ose procedura kozmetike, të cilat kanë një nxitje për të blerë ose përfshijnë një çmim, u janë fshehur përdoruesve që dihet se janë nën 18 vjeç, dhe çdo pretendim i aftësive "të mrekullueshme" të humbjes së peshës për produkte të caktuara, ndalohet nga aplikacioni.

Facebook dhe Instagram gjithashtu ndalojnë përmbajtjen që inkurajon çrregullimet e të ngrënit, që promovon vetëvrasje ose vetë-dëmtim në përgjithësi.

Megjithatë, platforma ka kohë që është kritikuar për zbatimin e këtyre rregullave, kryesisht sepse ka një vijë të hollë ndarëse me postimeve të humbjes së peshës, fitnesit, të ngërnit shëndetshëm etj.

Një hetim i The Guardian në vitin 2019 gjeti mijëra hashtag-e dhe llogari që promovojnë anoreksi, duke përfshirë ditarë të humbjes së peshës, fotografi alarmante dhe komente mbi synime të peshës ideale.

Instagram lejon përdoruesit të ndajnë përvojat e tyre të çrregullimeve të të ngrënit, me kusht që ato të mos synojnë ta promovojnë atë si një rezultat të dëshirueshëm.

Burimi: The Guardian