Prit pak, prit pak. Si shkuam nga Apple te Për’Puthen? Një informacion paraprak të lutem. Patjetër. Gjatë një interviste mëngjesin e sotëm (e martë, 20 prill), Ledina Beqiraj Agalliu, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) prezantoi disa prej atyre që njihen si marka shqiptare, si Keci i Hasit, Jufkat e Dibrës, Vaji i Borshit, Boronica e Bjeshkëve, Kukësit dhe Tropojës, Gështenja e Malësisë së Madhe dhe Tropojës etj., tanimë janë produkte të regjistruara dhe u njihet me ligj pronësia industriale.
Uff shumë informacion në një fjali. Cfarë bën konkretisht ky institucion? DPPI është institucioni i vetëm nëpërmjet të cilit shteti shqiptar jep të drejtat mbi patentat mbi shpikjet dhe modelet e përdorimit, markat tregtare dhe të shërbimit, dizenjot industriale dhe treguesit gjeografikë, duke iu njohur mbajtësve të së drejtave pronësinë mbi këto objekte, nëpërmjet regjistrimit të tyre.
E kuptova. Po Apple ç’lidhje ka? Gjatë bisedës, Isli Islami e pyeti drejtoreshën e DPPI-së për rastet kur dy marka mund të kenë ngjashmëri me njëra-tjetrën në elementë të ndryshëm. Si logoja për shembull.
Po, edhe? Ajo u shpreh se “Për’Puthen” është në proces regjistrimi pranë drejtorisë për Pronësinë Industriale dhe aktualisht është goditur nga një objekt ndërkombëtar, shumë i njohur, siç është Apple.”
Për mollën? Sigurisht. Beqiraj-Agalliu tha se Apple është një kompani që tregohet e kujdesshme për të kontrolluar nëse dikush në treg tenton të ketë logo të ngjashme me të.
Po flasim për padi ligjore? Jo, jo. Në DPPI janë disa procedura që duhen ndjekur, përpara se çështja të kalojë në gjykatë. Është një procedurë lehtësuese për të shkurtuar afatet, reduktuar kostot e gjykatës dhe funksionon si dhomë kundërshtuese. Në këtë fazë, pritet që palët të bien në një marrëveshje.
Po nëse jo? Apelohet te bordi i apelit.
Çudi që logoja e Për’Puthen ka rënë në sy te Apple! Jo dhe aq në fakt. Drejtoresha u shpreh se subjektet tregtare ndërkombëtare kanë një interes të shtuar për tregun shqiptar.
A ngjajnë vërtet logot? Nuk di të them. Por nuk është hera e parë që Apple ka pretenduar se kompani të tjera kanë logo të ngjashme. Më parë, është shprehur se aplikacioni për përgatitjen e vakteve, Prepear, ka logo të ngjashme me të. Siç duket, kompania sigurohet që produktet e saj të jenë lehtësisht të dallueshme nga logoja me mollën e kafshuar.