Ministria e Shëndetësisë ka publikuar protokollin lidhur me masat anti Covid-19 që do të duhen të respektohen gjatë procesit zgjedhor dhe ditës së votimit. Përtej faktit që në çdo hyrje të sallave të votimit duhet të ketë shenja orientuese dhe dezinfektant për duart, rregullat kryesore i gjeni më poshtë:
1.
Në krye të protokollit thuhet se një nga veprime e para që duhet të ndërmarrin punonjësi e zgjedhjeve dhe votuesit është se duhet të qëndrojnë në shtëpi nëse kanë ethe, simptoma të frymëmarrjes ose nëse mendojnë se janë të sëmurë.
2.
Ndërsa për personat e konfirmuar pozitivë me Covid-19 duhet të zbatojnë rregullat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë duke u vetëkarantinuar.
3.
Sallat, që do të përdoren si qendra votimi duhet të kenë hyrje dhe dalje të ndryshme me qëllim që të respektohet distancimi fizik.
4.
Çdo votues duhet të jetë i pajisur me maskë dhe kutitë e votimit duhet të jenë të vendosura të paktën 2 metra larg vendqëndrimit të anëtarëve të komisionit, po ashtu dhe dhomat e fshehta të votimit.
5.
Një ditë para procesit të votimit është e detyrueshme dezinfektimi i ambienteve.
6.
Përsa i përket anëtarëve të komisionit është i detyrueshëm plotësimi i një formulari ku deklarohet se nuk kanë temperaturë apo shqetësime të tjera të lidhura me Covid-19. Ulja e tyre duhet të jetë në distancë 1.5 m larg njëri-tjetrit.
7.
Gjithashtu në çdo qendër votimi, në ambientet e brendshme nuk do të lejohen më shumë votues se sa numri i dhomave të fshehta.
8.
Do të ndalohet grumbullimi i shumë personave para qendrave të votimit dhe do të duhet të ruhet distanca prej 1.5 metrash.
Burimi: Euronews