Komiteti i Ekspertëve gjatë komunikimit të fundit njoftoi ndryshimet e reja në lidhje me masat anti Covid-19. Silva Bino, shefja e ISHP-së u shpreh se thuajse në të gjitha bashkitë e vendit është vënë re ulje e incidencës. Sipas saj, një ulje të tillë të numrit të rasteve pozitive nuk është parë ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.
“Pozitiviteti ka arritur nën 5 për qind. Një moment shumë i rëndësishëm. Nuk kemi pasur ndonjë një pozitivetet kaq të ulët lidhur edhe me numrin e testimeve që po bëjmë. Kemi një ulje të qarkullimit të virusit në vend. Ulja e incidencës së vdekjes. Gjithsesi, pavarësisht kësaj kemi akoma vdekje dhe njerëz me Covid në spitale.”
Thënë këtë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu komunikoi masat e reja: heqja e karantinës 14 ditore për ata që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia dhe hapja e auditoreve të universiteteve.
"Situata është e kontrolluar. Nisur nga kjo, Komiteti ka pasur një mbledhje sot. Ka rivlerësuar masat ka bërë një vlerësim të situatës në Maqedoni dhe Greqi. Në dy javë atje ka ulje prandaj është vendosur heqja e karantinës për këto dy vende që ishte 14 ditë. Po ashtu do të lejohet hapja e auditorëve të Universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve."
Përsa i përket fashës orare, ministrja shtoi se do të mbetet në fuqi ai aktuali, nga ora 6:00-22:00 deri në një moment të dytë.