KORONAVIRUS

Kanadaja aprovon vaksinën e Pfizer për moshat 12-15 vjeç

Shkruar nga Anabel

5 Maj 2021

Kanadaja aprovon vaksinën e Pfizer për moshat 12-15 vjeç

Kanadaja po autorizon përdorimin e vaksinës së Pfizer për përdorim tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, tha Ministria e Shëndetësisë. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet të ndërmarrë një hap të ngjashëm "shumë shpejt", thanë zyrtarët e Shëndetësisë të SHBA-së.

Supriya Sharma, një këshilltare e lartë në ministrinë kanadeze tha se vaksina Pfizer, e prodhuar me partnerin gjerman BioNTech, ishte e sigurt dhe efektive në grupmoshën më të re.

"Ne kemi filluar të shohim dritën në fund të tunelit," tha ajo në një konferencë.

Dy ditë më parë, New York Times raportoi se FDA po përgatitet të autorizojë vaksinën e Covid Pfizer / BioNTech për adoleshentët midis moshës 12 dhe 15 vjeç deri në fillim të javës së ardhshme.

FDA u shpreh se po vazhdon rishikimi i autorizimit të vaksinës, në një përgjigje për Reuters, por nuk dha detaje të mëtejshme. Drejtoresha e Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve në SHBA (CDC), Rochelle Walensky, tha në prill se vaksina mund të aprovohet nga mesi i muajit maj. Për momentin, vaksina e Pfizer kryhet te personat mbi moshën 16 vjeç.

Pfizer dhe Moderna kanë nisur gjithashtu testimet edhe te fëmijët më të vegjël, nga gjashtë muaj deri në 11 vjeç. Të dy kompanitë kanë thënë se shpresojnë të jenë në gjendje të vaksinojnë fëmijët nën 11 vjeç sa më shpejt, me gjasë në fillim të vitit 2022.

Burimet: Guardian, Reuters