Izraeli dhe grupi palestinez që sundon në Gaza, Hamas, kanë rënë dakord për armëpushim, pas më shumë se një javë konfliktesh dhe sulmesh që lanë qindra të vdekur, shumica e tyre palestinezë.
Sulmet ajrore vranë 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga grupi Hamas. Izrali raporton 12 të vdekur, mes tyre 2 fëmijë nga sulmet në Gaza.
Festimet e armëpushimit u mbajtën në Gaza dhe Tel Aviv pas njoftimit në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Makinat mbushën rrugët kryesore të Gazës, shoferët u bien borive dhe tundnin flamuj nga dritaret.

Megjithatë pak analistë besojnë se do të ketë progres drejt zgjidhjes së çështjeve themelore në të ardhmen e afërt. Nuk kishte sinjale për t'i dhënë fund kontrollit ushtarak të Izraelit mbi territoret palestineze dhe në Gazën e shkatërruar, brenda së cilës 2 milionë njerëz jetojnë nën sundimin e Hamasit.
Në planin afatshkurtër, përpjekja ndërkombëtare do të përqendrohet në sigurimin e armëpushimit dhe fillimin e ndihmave humanitare si edhe rindërtimin në Gaza.
Armëpushimi erdhi si rezultat i ndërhyrjes së Egjiptit në rolin e ndërmjetësit. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i shprehu "mirënjohje të sinqertë" presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, për rolin e tij ndërmjetësues dhe tha se SHBA do të punojë së bashku me agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe autoritetin palestinez, por jo Hamasin, për të rindërtuar Gazën.

Joe Biden është kritikuar për faktin që ka refuzuar të bëjë thirrje të përbashkëta me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ka dështuar për të kritikuar drejtpërdejt Izraelin për viktimat nga bombardimi në Gaza.
Nëse zbatohet, marrëveshja do t'i japë fund luftimeve më të rënda që nga viti 2014, në të cilat sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Gaza, ndërsa militantët kanë qëlluar mijëra raketa në Izrael.
Artikull i rekomanduar: Izrael - Palestinë: Shpjegimi për një nga konfliktet më të diskutueshëm në histori
Burimet: Reuters, Agence France-Presse